Shirat ndalin importet e energjisë elektrike

Shqipëria

Shirat ndalin importet e energjisë elektrike

Më: 9 nëntor 2019 Në ora: 18:41
Foto ilustrim

Shirat e ditëve të fundit kanë sjellë një përmirësim të lehtë të situatës hidrike në kaskadën e Drinit. Sipas të dhënave të Korporatës Elektroenergjetike, niveli i ujit në basenin e Fierzës ka arritur në 268.5 metra, duke u rritur me 1 metër gjatë javës së fundit. Megjithatë KESH nuk ka vendosur ende në punë agregatët e këtij hidrocentrali me qëllim akumulimin e sasisë së ujit për pjesën e mbetur të vitit.

Aktualisht hidrocentrali i Komanit dhe Vaut të Dejës janë duke punuar me kapacitet të plotë, duke sjellë një furnizim të plotë me energji për të gjithë konsumatorët e vendit. Kjo ka bërë që OSHEE të pezullojë disa procedura për blerje të energjisë në treg të lirë. Për pjesën e mbetur të kësaj jave, korporata po ashtu ka nisur eksportin e një sasie të vogël energjie, e cila i ka sjellë të ardhura në masën e 180 mijë eurove.

Rënia e prodhimit të energjisë gjatë këtij viti për shkak të thatësirës, i ka shkaktuar financave të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë një faturë më vlerë 150 milionë euro për 10 muaj të këtij viti, ndërsa çmimi në këtë periudhë ka fluturuar në 75 euro për megavat orë.

Të dyja kompanitë parashikojnë që këtë vit të kenë humbje financiare, ndërsa situata e tyre mund të arrijë të shpëtohet për pjesën e mbetur të vitit vetëm nga reshjet e shiut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat