Moti i keq “bllokon” vendin, probleme në det dhe në tokë - Bota Sot
Moti i keq “bllokon” vendin, probleme në det dhe në tokë

Shqipëria

Moti i keq “bllokon” vendin, probleme në det dhe në tokë

Më: 12 nëntor 2019 Në ora: 16:33
Moti i keq “bllokon” vendin, probleme në det dhe në tokë

Që prej mesditës së të martës reshje të shumta shiu dhe erëra të forta kanë përfshirë vendin, duke sjellë pezullim të lundrimeve në Durrës e Vlorë. Në Llogara e në disa akse rrugore janë rrëzuar shtyllat e tensionit të lartë dhe pemë, ndërsa lajmërohet se 48 orët në vijim do të jenë problematike.

Vendi ka hyrë prej mesditës nën ndikimin e një moti të paqëndrueshëm që pritet të zgjasë për 48 orët në vijim.

Për pasojë problematika janë shfaqur në disa rajone të vendit.

Bregdeti është përfshirë nga erëra të forta me drejtim jug-lindje dhe forca e detit do të jetë 7. shkalla Boufort.

Në këto kushte, Kapiteneria e Përgjithshme ka vendosur pezullimin e lundrimit në Detin Adriatik për të martën, ndërkohë që në Vlorë tragetet nuk do të lundrojnë të paktën për dy ditë.

Peshkarexhat dhe anijet e vogla të peshkimit janë urdhëruar të qëndrojnë në vendstrehime dhe të mos dalin në det të hapur ku forca arrin deri në 9 ballë dhe mbi 3 metra lartësi dallge.

Probleme nuk ka vetëm në det, por edhe në tokë.

Rruga e Llogarasë u bë e pakalueshme në mesditë për shkak të rrëzimit të shtyllave të tensionit të lartë dhe pemëve.

Rrëshqitje gurësh në rrugë pati edhe në aksin Elbasan-Librazhd pranë vendit të quajtur Kthesa e Murrashit, problematikë kjo që hasen sa herë ka reshje shiu.

Ndërkohë në shumë fshatra të vendit raportohet për mungesë energjie për shkak të dëmtimit të rrjetit shpërndarës nga stuhia.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat