Paralajmërimi nga Presidenca: Po përgatitet një video përvëluese - Bota Sot
Paralajmërimi nga Presidenca: Po përgatitet një video përvëluese

Shqipëria

Paralajmërimi nga Presidenca: Po përgatitet një video përvëluese

Më: 16 nëntor 2019 Në ora: 13:46
Ilir Meta

Kreu  i shtetit Ilir Meta mbajti dje një konferencë të jashtëzakonshme ku përreth një orë foli për padinë që do të bëjë ditën e hënë ndaj kreut të KED, Ardian Dvoranin. Sot përmes një njoftimi zëdhënësi i tij, Tedi Blushi, ka deklaruar se  presidenca po përgatit prova përvëluese, që mund të përfshijnë edhe zyrtarë të tjerë. Brenda javës, sipas njoftimit, do të publikohet një video me provat, jo vetëm në shqip, por edhe në gjuhë të tjera për ndërkombëtarët.

“Pa asnjë diskutim, ditën e hënë do të bëhet kallëzimi penal, madje po administrohen prova të reja përvëluese, që shtojnë mundësinë për të patur edhe padi për persona e zyrtarë të tjerë.

Gjithashtu, ju bëj me dije se brenda javës Institucioni i Presidencës do të publikojë një VIDEO me fakte të pakundërshtueshme për opinionin vendas dhe botëror, që të mos ngelet asnjë analfabet në planet, i cili të mos e kuptojë dhunimin që një bandë ka tentuar t’i bëjë Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Kjo VIDEO me prova të pakundërshtueshme, do zbulojë fytyrën e vërtetë të një individi të papërgjegjshëm, i cili guxoi në mënyrë të tmerrshme kriminale t’i përvetësojë kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës, që as noterja e nderuar znj.Miranda Xhemalçe nuk pranoi ta bënte, pasi e dinte shumë mirë se betimi me dorën mbi Kushtetutë bëhet vetëm në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe askund tjetër.

Përveçse në gjuhën tonë të bukur shqipe, kjo VIDEO, po përgatitet edhe në anglisht, në gjermanisht, në italisht, në frëngjisht, dhe në disa gjuhë të tjera europiane, në mënyrë që të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, që janë të interesuar, jo vetëm për realizimin me sukses të Reformës në Drejtësi, që u votua me konsensus, por edhe që janë kaq të shqetësuar për problemet skandaloze të funksionimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, të mos mashtrohen më”, njofton presidenca.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat