“Situatë dramatike”, Meta ftesë gjithë krerëve të opozitës: Ejani në takim sa më shpejt, brenda datës 20!

Shqipëria

“Situatë dramatike”, Meta ftesë gjithë krerëve të opozitës: Ejani në takim sa më shpejt, brenda datës 20!

Më: 16 nëntor 2019 Në ora: 15:48
Lulzim Basha dhe Ilir Meta

Pas deklaratave për shpërndarjen e Parlamentit me një dekret dhe përplasjes me maxhorancën për emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka bërë lëvizjen e radhës.

Ilir Meta i ka dërguar një letër 9 partive që u larguan nga Parlamenti, të cilave u kërkon takim urgjent për “situatën dramatike” që është krijuar në vend.

Letra e Metës i është drejtuar kreu të PD-së, Lulzim Basha, dhe për dijeni, kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, kreu të PR-së, Fatmir Mediu, kryetari të PAA-së, Agron Duka, kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, kryetarit të PDK-së, Nard Ndoka, kreut të LZHK-së, Dashamir Shehi, po ashtu dhe Shpëtim Idrizit të PDIU-së dhe Shpëtim Axhamit të Legalitetit.

Në letër theksohet se: “I nderuar zoti Basha, nisur nga situata dramatike në të cilën ndodhet vendi dhe pasojat e saj të paparashikueshme ju ftoj juve dhe të gjitha kryetarëve të Partive të Opozitës së Bashkuar në një takim, në një kohë sa më të shpejtë, mundësisht përpara ditës së mërkurë, datë 20.11.2019”, thuhet në letrën e kreut të shtetit.

Qëndrimi

Më herët edhe zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi ka folur për takimin me krerët e opozitës së bashkuar, duke thënë se do të ketë takime dhe vendime shumë të rëndësishme në vijim.

Sqarim i Zëdhënësit të Presidentit të Republikës, Tedi Blushi

I pyetur nga gazetarët lidhur me një lajm që qarkullon në media për një sërë nismash dhe vendimesh shumë të rëndësishme që do të ndërmarrë në ditët në vijim Presidenti i Republikës Ilir Meta, Këshilltari për Mediat dhe Zëdhënësi z.Tedi Blushi bën me dije se:

Presidenti Meta do të kërkojë takim me të gjithë kryetarët e Partive Parlamentare që braktisën Kuvendin në shkurt 2019, për të diskutuar lidhur me situatën dramatike ku ndodhet vendi. Padyshim do të ketë edhe të tjera inisiativa, vendime dhe takime shumë të rëndësishme!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat