Xhamat e zinj në makina të lejuara. Ja sa është tarifa që duhet të paguani

Shqipëria

Xhamat e zinj në makina të lejuara. Ja sa është tarifa që duhet të paguani

Më: 21 nëntor 2019 Në ora: 22:34
Ilustrim

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor ka zyrtarizuar të drejtën për të errësuar xhamat e automjeteve, por duke respektuar standarde dhe kritere cilësie dhe sigurie në përputhje me dispozitat ndërkombëtare.

DPShTRR ka publikuar një udhëzim për serviset  ku shpjegon edhe masën e lejimit të errësimit të xhamave. Autoveturat që do të errësojnë xhamat nuk do mund ta bëjnë atë në masë 100%, pasi DPSHTRR-ja ka përcaktuar disa nivele errësimi.

Po ashtu DPShTRR sqaron se mos aplikimi i materialeve që nuk janë të certifikuara dhe tejkalimi i niveleve të errësimit, sjell përgjegjësi ligjore ndaj klientit.

Tarifat për errësimin e xhamave

Miratimi i errësimit për xhamin fundor, xhamat anësorë të pasëm, xhamat trekëndorë të pasme të autoveturës - 1,500 Lekë.

Miratimi i errësimit për xhamat anësorë të përparmë të autoveturës - 20,000 Lekë.

Certifikata e miratimit të errësimit të xhamave të autoveturës - 1,500 Lekë.

Nuk lejohet që për errësimin e xhamave të përdoren:

Materiale me ngjyra monokromatike si e kuqe, jeshile, blu, e verdhë, portokalli, etj;

Materiale që krijojnë efekt reflektues ose pasqyrues;

Materiale që bllokojnë plotësisht shikueshmërinë;

Materiale që krijojnë efekte turbulluese ose shpërqëndruese për shikimin e drejtuesit të mjetit;

Materiale që bëjnë errësimin e xhamave përmes përdorimit të lëndëve spërkatëse.

Një xham konsiderohet që është i errësuar nëse tejçueshmëria e Dritës është më pak se 70%! Me errësim të xhamit kuptohet përdorimi i materialeve errësuese, por që vlera/niveli i errësimit në përqindje (%) përfshin totalin, së bashku, të xhamit origjinal dhe materialit errësues!

Nuk lejohet errësimi i xhamit të përparmë ballor të mjetit. Përjashtimisht, lejohet ulja e tejçueshmërisë së dritës në xhamin e përparmë ballor vetëm në pjesën e sipërme, në një shirit gjatësor, gjerësia e të cilit është deri në 125mm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat