Paketa speciale kundër KÇK, gjykatësit apo prokurorët në shkelje të ligjit do i nënshtrohen procesit antimafia

Shqipëria

Paketa speciale kundër KÇK, gjykatësit apo prokurorët në shkelje të ligjit do i nënshtrohen procesit antimafia

Më: 25 nëntor 2019 Në ora: 14:47
Edi Rama

Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi sot se “KÇK është organizatë kriminale gjykatësish dhe prokurorësh që janë shërbëtorë bashkëpunëtorë ose edhe tutorë të krimit të organizuar. Janë një kancer në sistem që me fillimin e Vetingut dhe me rezultatet e para të tij ka hyrë në fazën e vetë më agresive”.

Në fjalën e tij në Prezantimin e Paketës Speciale AntiKÇK, Rama theksoi se “janë njerëz që e dinë shumë mirë që s’ka asnjë shans ta kalojnë Vetingun dhe sot po shfaqen shumë më hapur se deri dje kur punonin me një ritëm më të avashtë dhe me bindjen se e kishin gjithë jetën para dhe askush nuk do i lëvizte nga vendi”.

“Sot ata nuk e kanë më jetën përpara në kuptimin e karrierës, por kanë kohën e mbetur deri kur ta dalin përpara komisionit të vetingut dhe e dinë që nuk ka asnjë shans, prandaj motoja e tyre , nuk është fantazi, unë e kam dëgjuar nga ata ‘Kap çfarë të kapësh’, KÇK. Rasti i Durrësit është një rast shumë flagrant për fat të mirë e solli rrethana, rastësia ngjarja që ne rastin e Durrësit u gjendën në një makinë bashkë Prokurori dhe një nga eksponentët e krimit të organizuar dhe në bagazhin e makinës dokumentet e vjedhura të Prokurorisë ato që për një kohë të gjatë i vendoseshin nga fronti kundër reformës në drejtësi në kurriz Donika Prelës, ndërkohë u gjendën në atë makinë”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “çfarë duhet të bëjmë ne në këto kushte të rrimë të presim vetingun e këtyre, çfarë do bëjmë ne në këto kushte ku për shkak të këtij sistemi drejtësie dhe faktit që kriminelët kanë shpatulla të ngrohta, kanë një paturpësi ekstreme, një mungesë ekstreme si të thuash frike jo e jo, por edhe një mungesë ekstreme kujdesi për të fshehur gjurmët. Çfarë të bëjmë ne kur një kriminel shkon merr peng hipotekën e Vlorës dhe policia nuk arrin dot të veprojë për shkak se gjykata, prokuroria nuk vepron”.

Ndërkohë , vijoi Rama, jemi në një vend ku unë që jam këtu dhe ju që jeni këtu të paktën 10 radhët e para për të ardhur këtu kemi plotësuar një formular ku përtej të gjitha standardeve ndërkombëtare iu është kërkuar që të tregoni të vërtetën që nga momenti kur keni dalë nga barku i nënës. “Nëse kur keni dalë nga barku i nënës keni shkelur vijat e bardha”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “është një ligj unikal nuk e ka asnjë vend i botës ka mbetur në fjalorin e përditshëm si ligji i dekriminalizimit, ligji i Pastërtisë së Figurës, dhe kjo bëhet për të gjithë ata që duan të zgjidhen dhe të punojnë në administratën publike. A nuk ka ardhur koha që këtyre njerëzve që janë dënuar për krime të rënda, janë akuzuar për krime të rënda dhe nuk janë dënuar si rezultat i marrëdhënies me KÇK apo që janë në hetim në SHBA, në vendet e BE sot në Shqipëri t’u kërkohet të deklarojnë pasuritë, t’u kërkohet të provojnë se ato që e kanë si rezultat i punës”.

Pse, tha kryeministri,  kjo u bëka për të gjithë ata që duan të zgjidhen, pse kjo u bëka për gjykatësit, prokurorët dhe nuk u bëka për këta, kush janë këta.

“Mendoj që sot kjo është urgjente në këtë vakum të drejtësisë të vjetër që po shembet dhe drejtësisë së re që po ngrihet ku KÇK ku një sërë institucionesh janë në proces dhe ku KÇK është vënë në një veprim intensiv, ne do ndërhyjmë në një ligj special, kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe të gjithën normën e ligjit antimafias ta kalojmë në kurriz të subjekteve të këtij ligjit, të tyre dhe familjarëve të tyre”, – theksoi Rama.

Ai tha se çdo kush nga këta duhet të provojë para gjykatës që shtëpinë, makinën, biznesin i ka si rezultat i punës.

“Ky nuk është një proces penal, është një proces administrativ dhe ndërkohë KÇK i duhet vënë një kufi shumë i qartë se edhe te KÇK sot jemi në kushtet kur një anëtar i KÇK shkel ligjin askush nuk vepron. Ndërkohë që duhet sqaruar ligjërisht që Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe këshilli i Lartë i Gjyqësorit të marrin masë për pezullim dhe inspektimin lidhur me anëtarin përkatës të kësaj organizate kriminale”, shtoi Rama.

Ndërkohë, Rama tha se “deri në krijimin dhe funksionimin e plotë të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë nëse ne nuk e bëjmë këtë do bëhet nami në Shqipëri, do kemi çdo javë shfaqje tërbimi në shkeljet të ligjit”.

“Plus kësaj në rast se inspektimi vlerëson që anëtari i organizatës kriminale, gjykatësi apo prokurori që ka shkelur ligjin është në shkelje, mbi të do të fillojë i njëjti proces, procesi antimafia, barra e provës atij dhe të provojë nga i buron pasuria”, tha Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat