Adoleshentët, alkool dhe drogë. Çdo ditë në QSUT paraqiten 5 raste për shërbim mjekësor

Shqipëria

Adoleshentët, alkool dhe drogë. Çdo ditë në QSUT paraqiten 5 raste për shërbim mjekësor

Më: 25 nëntor 2019 Në ora: 21:35
Ilustrim

Ngjarja e Elbasanit, ku dy 15-vjeçarë u gjetën pa ndjenja për shkak të konsumit të alkoolit, ka rikthyer në vëmendje fenomenin shqetësues.

Në Tiranë çdo ditë paraqiten në Urgjencën e QSUT mesatarisht 5 persona nën efektin e tij, kryesisht të rinj, të cilët marrin shërbim mjekësor, shkruan Ora.

Mjeku toksikolog, Andrin Tahiri, thotë se përdorimi i alkoolit tek adoleshentët është trend në rritje.

Por ajo që vërejnë ekspertët e shëndetit është konsumi njëkohësisht edhe i substancave narkotike.

Tahiri: Varësia nga abuzimi me alkoolin gjithmonë është bashkangjitur me varësinë nga substanca të tjera legale, që lëshohen me receta, dhe droga ilegale, marijuana te moshat e reja dhe kokaina të moshat e rritura. Trendi është te moshat e reja, 15-16 dhe 18 vjeç. Ka dhe femra, por kryesisht janë meshkuj.

Pasojat thonë mjekët janë fizike dhe mendore.

Tahiri: Probleme të shëndetit mendor janë ankthi, depresioni, psikozat. Dëmet fizike mund të jenë gastriti, ezofavit, neuropatit. Dëmet janë të pallogaritshme.

Pavarësisht se në fuqi është një ligj që ndalon shitjen e pijeve alkoolike tek të rinjtë, rastet dëshmojnë se jo gjithmonë zbatohet.

Për ekspertët problemi qëndron tek mungesa e angazhimit të institucioneve.

Shuperka: Strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë nuk kanë treguar interesimin e duhur për zbatimin e ligjit. Kjo është arsyeja që edhe nga moshat e reja po përqafohet konsumi i alkoolit.

Sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik të realizuar në 197 shkolla rezulton se dy në tre nxënës ose 65.7% e tyre kishin konsumuar një ose më shumë pije alkoolike të paktën një herë gjatë jetës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat