Pas Durrësit, tërmet edhe në Tiranë, banorët lëshojnë shtëpitë, numri i viktimave 51

Shqipëria

Pas Durrësit, tërmet edhe në Tiranë, banorët lëshojnë shtëpitë, numri i viktimave 51

Më: 26 nëntor 2019 Në ora: 08:10
Pamje nga vendi i ngjarjes

(E plotësuar) - Pas lëkundjeve të natës së djeshme, banorë të shumtë të Tiranës dolën në sheshin “Nënë Tereza” nga frika dhe ankthi që tërmeti me magnitudë 4.4 rihter me epiqendër në Durrës.

Jo vetëm në sheshin “Nënë Tereza” por edhe në stadiumin “Dinamo” qytetarët kanë dalë me makinat e tyre për të kaluar natën.

***

Dita e parë e muajit dhjetor ka nisur sërish me lëkundje tërmeti. Në orën 07.04 të mëngjesit të kësaj të diele 1 dhjetori, është shënuar sërish një tërmet i fuqishëm.

Lëkundjet kanë qenë me magnitudë 4.2 ballë të shkallës rihter.

Epiqendra e tyre ka qenë 19 kilometër në jugperëndim të Mamurrasit, me thellësi 5 kilometër.

Edhe mbrëmjen e së shtunës u regjistruan lëkundje rreth orës 21:54.

Tërmeti ka qenë me magnitudë 4.3 i shkallës Rihter, me epiqendër në detin Adriatik.

Lëkundjet janë ndjerë të forta në Tiranë dhe në Durrës. Tërmeti më i fortë prej 6.4 ballë i shkallës rihter i shënuar në orën 03.54 të 26 nëntorit, prej të cilit humbën jetën 51 persona.

***

Ajo ishte në gjendje koma prej tre ditësh.

Shkon në 51 numri i viktimave nga tërmeti, vdes në spitalin e Traumës 20-vjeçarja, Xhesika Biqiku. Ajo ishte në gjendje koma prej tre ditësh. 20-vjeçarja u aksidentua në momentin e tërmetit pasi po tentonte të largohej i ra një tullë në kokë.

Nga ana tjetër, aktualisht janë duke marrë ndihmë mjekësore në spitale 40 persona, 33 në spitalin e Traumës, 4 në Durrës dhe 3 jashtë vendit.

Mbi 5 mijë persona kanë mbetur të pastrehë si pasojë e shembjeve, dëmtimeve serioze dhe rrezikshmërisë që paraqesin vendbanimet e tyre.

Varrosen tetë anëtarët e familjes Lala

 Në qytetin e Durrësit ka pllakosur heshtja e mortit.

Të vetmit zëra që dëgjohen janë të qarat e të afërmve dhe kuja e vajtimoreve që po përcejllin trupa e 8 familjarëve Lala të cilët humbën jetën në tërmetin vdekjeprurës të 26 nëntorit.

8 anëtarët e familjes Lala do të përcillen sot në varreza nga qindra familjarë të afërm, e qytetarë të ndryshëm. Homazhet po zhvillohen në pallatin e Kulturës në Durrës, ndërsa varrimi do të bëhet në orën 11.00.

Sot iu jepet lamtumira Sahadetës, Ilirit, Marjetës, Griseldës, Amalias, Emiljos, Dionisës dhe Enisit. Familja Lala, me origjinë nga Dibra, por jetonte prej vitesh në qytetin bregdetar. Banesa e tyre u shemb dhe për rrjedhojë kanë humbur jetën tetë anëtarë të familjes. I vetmi i mbijetuar ishte Ramë Lala, 17-vjeçari i cili u arrit të nxirrej i gjallë nga grupet e shpëtimit. 17-vjeçari është dërguar ditën e djeshme në Itali për të marrë një ndihmë më të specializuar.

VIKTIMAT

Sahadete Lala 79 vjeç – (Gjyshja)
Djali i saj Ilir Lala, (i paralizuar) 52 vjeç i fundit qe u nxorr nga vila 4 kateshe në Kënete
Nëna Marjeta Lala, 31 vjeç me 4 fëmijët: Emilio Lala
Enis Lala 2 vjeç e Dionisa Lala 2 vjeç – binjakë
Amelia Lala 8 vjeç – Vila në Kënetë
Griselda Lala- 19-vjeç (Motra e Ramë Lalës që shpëtoi)

Katër tërmete goditën Shqipërinë gjatë natës, bilanci 50 viktima

Qeveria bëri një mbledhje ashtu siç ka bërë këto tre ditë pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin tonë me datë 26 nëntor.

Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama tha se operacionet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar dhe numri i viktimave ka shkuar në 50.

“Operacionet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar, ndërsa fatkeqëisht duhet të them që numri i viktimave ka shkuar në 50”- tha Rama.

Rama falendëroi edhe trupat e kërkim-shpëtimit që kanë ardhur nga jashtë.

“Duhet të falenderoj trupat e kërkim-shpëtimit që kanë ardhur nga jashtë. Pa ato ne nuk do të kishim mundur të shpëtonim asnjë banor nga gërmadhat. Por kjo nuk zbeh punën e trupave tanë të kërkim-shpëtimit, por trupat kanë nevojë për mjete të specializuara ”- vijoi kryeministri./

Katër tërmete goditën Shqipërinë gjatë natës

Edhe gjatë natës duke u gdhirë dita e fundit e nëntorit, u shënuan goditje të reja sizmike.

Instituti europian EMSC raporton se pati katër tërmete me magnitudë midis 2 dhe 3 ballë të shkallës Rihter dhe me intensitet makrosizmik katër ballë të shkallës Merkali.

Thellësia e këtyre tërmeteve ishte nga 14 deri në 35 kilometra.

Image

***

Pas tërmetit të fuqishëm që preku Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit, shumë ekspertë të kërkim-shpëtimit janë angazhuar prej tre ditësh për të nxjerrë nga rrënojat personat që ndodhen nën to.

Kujtojmë që në këtë operacion janë angazhuar ekspertë nga vendi ynë por edhe të ardhur nga vendet fqinje si edhe të BE-së, si Kosova Italia, Franca, Kroacia, Zvicra, Serbia, Mali i Zi e të tjerë.

Në hotel Mira Mare ende vijon operacioni i kërkim-shpëtimit, dhe deri më tani në këto kërkime kanë marrë pjesë ekspertët e ardhur nga Italia dhe Franca.

Këto ekspertë janë ndërruar me ekipet e ardhura nga Mali i ZI dhe Serbia. Deri më tani nga pasojat e tërmetit kanë humbur jetën 49 persona dhe janë plagosur qindra të tjerë. Sipas informacioneve më të fundit të Ministrisë së Mbrojtjes ende kërkohet nën rrënojat e hotelit, më shumë se një person, duke shpresuar që të nxirren me shenja jete prej aty.

Edhe sot vazhdojnë tërmetet në Shqipëri, bilanci 49 viktima

Shteti i Shqipërisë para pak minutave është goditur edhe nga një tërmet tjetër.

Tërmeti me shkallë 3.0 të Rihterit, e ka lëkundur sërish pjesën veriperëndimore të Tiranës.

Shqipëria që nga 26 nëntori është goditur nga tërmete të njëpasnjëshme. Tërmeti më i fuqishëm ishte ai i paraditës së 26 nëntorit me shkallë prej 6.4 të Rihterit, ku si pasojë vdiqën 49 persona.

***

Pas tërmetit tragjik me magnitudë 6.4 rihter, që goditi Shqipërinë, operacioni i kërkim-shpëtimit në qytetin e Durrësi vijon ende nën rrënojat e hotel Mira Mare.

Kjo është e vetmja pikë ku po zhvillohen kërkimet pasi pak pas mesnate u nxorën edhe dy trupat e fundit të pajetë nga rrënojat e dy ndërtesave të shembura në Durrës, atë të Ilir Lalës në vilën 4 katëshe në Kënetë të Durrës, aty ku tragjedia goditi më fort me vdekjen e 8 anëtarëve të një familjeje, dhe të Xhuljeta Gjonajt në pallatin tek “2 Gjelat” po në qytetin bregdetar.

Në rrënojat e hotel Mira Mare dyshohet se gjenden ende dy vajza të paidentifikuara që dyshohet se punonin si balerina. Deri më tani numri i viktimave që humbën jetën nga tërmeti është tragjik, plotë 50 persona.

2 të plagosurit, nga tërmeti, dërgohen me aeroplan drejt Italisë

2 nga të plagosurit nga tërmeti që goditi vendin mëngjesin e 26 nëntorit janë dërguar me avion drejt Italisë.

Të pranishëm në Rinas janë kryeministri i vendit, Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Është gjykuar se dy të plagosurit, të ndodhur në gjendje të rëndë duhet të marrin një ndihmë më të specializuar.

***

Rreth orës 07:50 të mëngjesit është ndjerë një lëkundje tërmeti me epiqendër Detin Adriatik dhe magnitudë 3.4.

Por teksa kaloi më tepër se 1 orë dhe dridhjet e tokës duket se kishin kaluar një tjetër tërmet është ndjerë në Durrës dhe Tiranë.

Këtë herë në orën 09:02 ka rënë një tërmet me magnitudë 3,9 dhe serish epiqendra ka qenë Deti Adriatik, pranë bregdetit të Durrësit.

***

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një mbledhje qeverie. Rama që në fillim të fjalës së tij dha lajmin e hidhur që numri i viktimave ka shkuar në 49.

“Në Durrës janë shënuar 25 viktima, në Krujë 23 dhe një në Kurbin. Banorët duhet të lënë çadrat dhe të akomodohen në hotele. Bilanci paraprak i kontributeve është inkurajues. Biznesmenët Behgjet Pacolli dhe Shefqet Kastrati ka dhuruar 2.5 milion euro por paratë nuk kanë kaluar akoma në llogari bankare sepse bankat janë pushim”- u shpreh kryeministri.

Ndihmat e mbledhura nga organizata dhe shoqëritë civile llogariten në 4.5 milion dollarë. Këtu u bëj apel këtyre personave që të bëjnë kujdes nga mashtruesit në internet. Dje një mashtrues nëpërmjet facebook-ut synonte të vidhte para dhe tani është arrestuar- vijoi Edi Rama.

***

Është rritur bilanci i viktimave nga tërmeti.

Në Durrës është nxjerrë edhe trupi i Ilir Lalës. Trupat e kërkim-shpëtimit gjetën trupin e Ilir Lalës para pak minutave dhe me ambulancë u dërgua për në mort.

Numri i të vdekurve në familjen Lala ka shkuar në 8 ndërsa nurmi total i viktimave nga tërmeti është 48.

***

Ka shkuar në 46-të numri i personave që kanë humbur jetën nga tërmeti që ra ditën e martë në orën 03:55 minuta në Shqipëri me magnitude 6.4 ballë.

Më poshtë keni edhe listën e plotë të personave që kanë humbur jetën:

Në Durrës, në total 22 viktima , të identifikuar si më poshtë :

1-Bajram Hajdarmataj, 54 vjeç, gjetur në L 13 .
2- Amelia Lala, 8 vjeç, gjetur në L.17.
3-Sadik Qato, 85 vjeç, gjetur në L 13 .
4-Isah Abazi, 29 vjeç, banues në L.13
5-Esiela Karanxha, 8 vjeçe, gjetur në L 18.
6-Flatar Zenelaj, 64 vjeç, gjetur në L 13
7-Eviola Broshka, 28 vjeçe, gjetur në L 18
8-Kristi Reçi, 24 vjeçe, gjetur në L 18
9-Sehadete Lala, 04.02.1940, gjetur në L 18
10-Diena Karanxha, L 18
11-Eduart Reçi L 18
12-Shemsedin Abazi gjetur L13
13. Dolora Reçi, 49 vjeë lagja Nr.18
14. Klaus Reçi, vjeç 21. Lagja Nr.18.
15.Griselda Lala vjeç 22, lagja Nr. 17
16.Rozeta Maçja vjeç 59,lagja Nr.18
17 Sotiraq Misho,vjeç 49, lagjja 13
18.Nafije Haziz Rexhepi vjeç 10.09.1945 lagja 6
19.Marjeta Isuf Lala 08.10.1988 lagja 18
20.Emilio Albert Lala 7 vjec lagja 18
21.Dionis Albert Lala 30.01.2018 lagja 18
22.Dionisa Albert Lala 30.01.2018 lagja 18

Krujë – 22 persona në total, të identifikuar si më poshtë:
1-Bukurije Leka
2-Erisa Cara
3-Ariela Lala 4 vjeç
4-Fatmira Cuka 44 vjeç
5-Selvie Lala 77 vjeç
6-Saimir Greku
7-Sardi Cuka 18 vjeç
8-Hajrie Vata 65 vjeç
9-Klevis Çupi (Aliu) 34 vjeç
10-Drita Cakoni 58 Vjeç
11-Pëllumb Greku 57 Vjeç
12-Çelike Grupieku 57 Vjeç
13- Hajredin Çupi, 66 Vjeç
14-Kastriot Cakoni, 58 vjeç
15- Fatmira Cara vjeç 54
16- Hasan Cara vjeç 16
17-Roledi Vata vjeç 3
18-Suada Hysa vjeç 18
19-Ankthi Cara vjeç 65
20-Adelina Kabili vjeç 20
21-Almir Cara vjeç 26
22- Stela Zvergeci vjeç 20

45. Lezhë: Evis Hoxholli 32 vjec, hedhur nga lartësia për shkak të panikut
46. Kurbin : Kristjan Preçi 26 vjeç, dëmtuar gjatë tërmetit dhe humbur jetën si pasojë e aksidentit rrugës për në spital.

Nuk ndalen lëkundjet sizmike, dridhet sërish Shqipëria

Nuk ndalen lëkundjet sizmike në Shqipëri.

Një tjetër tërmet ka goditur vendin në orën 00:00 të premtes, pas disa lëkundjeve që u regjistruan më heret.

Tërmeti me magnitudë 4.8 rihter është regjistruar në Rubjekë në Durrës, por lëkundjet janë ndjerë edhe në Tiranë.

Aktualisht vendi është përfshirë edhe nga stuhi shiu.

***

Një tjetër tërmet goditi Shqipërinë mbrëmjen e sotme.

Raportohet se lëkundjet e tokës ishin të një magnitude 3.7 ballë të shkallës rihter.

Ndërsa epiqendra ka qenë shumë pranë Tiranës në Vorë.

Me një thellësi 10 kilometër nën tokë.

50 numri i viktimave pas tërmetit

Teksa saga e grupeve të kërkim-shpëtimit në Durrës për gjetjen e të mbijetuarve apo viktimave të tjera të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit vijon, është rritur bilanci i viktimave të tërmetit katastrofik, që tronditi Shqipërinë mëngjesin e 26 nëntorit.

Katër trupa pajetë janë gjendur në banesën e familjes Lala në zonën e Ish- kënetës, duke e çuar kështu në 47 numrin e viktimave.

Zonat më të dëmtuara nga tërmeti janë Durrësi dhe Thumana ndërsa prej mbrëmjes së djeshme në Thumanë janë ndërprerë operacionet e kërkimit pasi pas nxjerrjes së tre trupave të pajetë nuk ka më informacion për trupa të tjerë të zhdukur. Ndërkaq në Durrës operacioni vazhdon me shpresën për të nxjerrë njerëz të gjallë nga rrënojat.

***

Shkon në 46 numri i viktimave nga tërmeti i 26 nëntorit. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se janë nxjerrë 4 trupa të pajetë të familjes Lala nga gërmadhat e vilës së tyre në zonën e ish-Kënetës.

Një u nxor më herët, ndërsa tani janë nxjerrë 3.

Aktualisht operacioni i kërkim-shpëtimit është mbyllur në Thumanë dhe te pallati 6 katësh te Kryqi i Kuq në Durrës.

***

Ministria e Mbrojtjes bënë me dije se specialistët francezë të emergjencës civile dhe efektive të komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura vijojnë operacionin e kërkim shpëtimit në Durrës, në zonën e njohur si dy gjelat.

Në këtë vend, sipas informacioneve paraprake po kërkohet për dy trupa.

Ndërsa deri tani janë gjetur 42 persona të vdekur nga tërmeti.

Image

***

Vijon te rritet mjerisht numri i viktimave nga termeti tragjik. Trupi i nxjerre pak me pare te ish Keneta con ne 42 numrin e viktimave. Lajmin e konfirmon zyrtarisht ministria e Mbrojtjes.

Një tjetër tërmet është ndjerë pak më parë me magnitudë .9.

Kujtojmë se më herët u ndjenë edhe 2 lëkundje të tjera të fuqishme me magnitudë 5.1 dhe 4.

Ky është tërmeti i tretë gjatë orëve të fundit.

Image

***

Prej orësh toka nuk ka gjetur qetësi. Janë regjistruar para pak mintash dy lëkundje të tjera me magnitudë 3.3 dhe 4 ballë.

Image

Tjetër tërmet, lëkundje 5.1 ballë

Një tjetër lëkundje sapo është ndjerë në vendin tonë. Kjo pasgoditje ishte e fortë dhe është ndjerë në Tiranë dhe në shumë qytete të tjera. Lëkundja sipas EMSC ishte e shkallës 5.1 ballë.

Tërmet 4.0 ballë në afërsi të Shijakut

Lëkundja e fundit ishte 4.0 ballë, me epiqendër 15 km larg Shijakut.

Thellësia e epiqëndrës së tërmetit ishte 10 km.

Sizmiologet thanë se janë mbi 650 lëkundjet që kanë pasuar atë të orës 03:54 të ditës së martë.

Ekspertet thonë se lëkundjet e tilla janë normale pasi janë pjesë e stabilizimit të procesit të pllakave tektonike. Për këtë arsye nuk ka vend për panik.

***

Është rritur frikshëm bilanci tragjik i tërmetit të fuqishëm që tronditi Shqipërinë në orën 03:54 të mëngjesit të së martës.

Është konfirmuar viktima e 41-të si pasojë e tërmetit të së martës. Autoritetet shqiptare po nxjerrin nga rrënojat disa të mbijetuar, ndërsa po përpiqen të komunikojnë me personat që ndodhen nën rrënoja në Thumanë.

Nxirret edhe një trup i vdekur, shkon në 40 numri i viktimave 

Deri më tani ka arritur në 40 numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm i mëngjesit të së martës me magnitudë 6.4 ballë të shkallës rihter.

Është nxjerrë nga rrënojat trupi i fundit i pajetë në pallatin gjashtë katësh në Durrës.

Ekipet e kërkim shpëtimit kanë nxjerrë trupin e Roza Meces, duke e çuar në 40 numrin e viktimave.

Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se në orën 04:00 të mëngjesit u nxorën nga rrënojat 3 trupa më Thumanë.

Dy ditë më parë, u nxorën nga rrënojat edhe vajza e saj Diena Mece dhe mbesa 10-vjeçare, Esiela.

Numri i viktimave pritet që të rritet pasi ka ende persona nën rrënoja.

***

“Thumana është një vatër e ndezur tragjedie”. Kështu tha Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë të mëngjesit të sotëm, nga ku konfirmoi se numri i viktimave ka shkuar në 39-të.

Ai vlerësoi ndihmat e dhëna, ndërksa kërkoi që të gjithë të adresohen në drejtim të ministrisë së Mbrojtjes dhe Emergjencave Civile për të ndihmuar një shpërndarje sa më të shpejtë ndihmave

“Po ndodh një rast konfuzion, një situatë ku nuk po përfitojnë, ose përtej njerëzve që përfitojnë me të drejtë ka dhe abuzim. Ne po përgatitemi për një konferencë donatorësh për zonën shqiptar folëse duke përfshirë si dy shtylla sipërmarrjen në Shqipëri dhe Kosovë. I drejtoj një lutje atyre që nuk po kursehen që ta dinë këtë dhe të na përgjigjen kur të na duhen”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se qysh prej mëngjesit të ditës së djeshme funksionon portali E Albania për dhurimin e kontributeve, ku tha se ka një rëndësi të madhe në aspektin moral dhe shpirtëror pjesëmarrja masive e njerëzve dhe shqiptarëve në përballimin e pasojave të tmerrshme të kësaj fatkeqësie.

“Bilanci i viktimave është rritur. Ka kulmuar me nxjerrjen e një 8-vjecari nga gërmadhat e pallatit të rrashfuar në Thumanë. Kërkimet pa pushim nuk kanë arritur të nxjerrin më jetë nga gërmadhat. Ata që kanë vijuar dhe punojnë në kushtet e një rrezikshmërie, qofshin tanët dhe të huaj meritojnë mirënjohje. Nga ana tjetër besoj se është me shumë rëndësi të nënvizoj sot duke u nisur edhe nga shqetësimet dhe alarmet dhe paniku, se ka një rëndësi të posaçme përgjegjshmëria e atyre që kanë përgjegjësinë të shfaqen në ekrane. Është momenti për të kontribuar në ruajtjen e qetësisë. Nuk është momenti për audiencë dhe parashikime që e marrin zanafillën nga koha e romakëve në Durrës”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se këto janë krime që cenojnë drejtpërdrejtë jetën e përditshme të njerëzve.

Rama iu bëri thirrje të gjithëve që të mos i detyrojnë të vënë në lëvizje mekanizma që i parashikon gjendja e jashtëzakonshme “për t’iu fikur fare dritën e ekraneve dhe të pasqyrave të tyre”.

Sipas tij, është e papranueshme që kur njerëzit kanë marrë arratitë nga shtëpitë, në shumë herë edhe të nxitur në pikën e humbjes së mundësisë për të arsyetuar nga lloj lloj lajmesh nga ata që përfshihen në këtë lloj veprimtarie pa asnjë lloj njerzillëku.

Rama deklaroi se nuk është kohë për astrologët por për psikologë dhe sociologë.

“Duam të përcjellim të humburit, të vdekurit, numri i të cilëve ka arritur në 39. Pas përcjelljes së tyre në banesën e fundit do të jetë gati logjistika për t’i strehuar dhe për t’i ushqyer”, deklaroi Kryeministri.

***

Vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit ku së fundi është gjetur edhe një trup i pajetë në Thumanë.

Anthy Cara, 68 vjeçe është gjetur para pak minutash në Thumanë.

Më gjetjen e 68 vjeçares numri i viktimave ka shkuar në 36. Operacione e kërkim shpëtimit vazhdojnë.

Më herët u gjetën edhe Almir Cara, e fejuara e tij Stela dhe një fëmijë që mbante mbiemrin Vata.

Lajmi i fundit: Gjenden edhe 3 trupa të pajetë në Thumanë, në total 35 të vdekur

Vazhdojnë lajmet e këqija nga Thumana.

Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë gjetur 3 trupa të pajetë.

Në orët e vona janë gjetur trupat e një çifti dhe një fëmije të vogël.

Raportohet se viktimat janë Almir Cara, e fejuara e tij Stela, ndërsa për fëmijën raportohet që mban mbiemrin Vata.

Almir Cara u gjet me fëmijën e mbërthyer pas vetes në tentative për të dalë nga banesa. Numri tani ka shkuar në 35 viktima.

***

Një trup është nxjerrë në zonën e ish kënetës në Durrës.

Viktima është Griselda Lala, 22 vjeç, trupi i së cilës është nxjerrë nga godinë 4 katëshe e familjes Lala, ku po vazhdon kërkimi për 5 të tjerë.

Image

***

Ka shkuar në 30 numri i viktimave nga tërmeti.

Viktimat që janë nxjerr nga rrënojat janë gjetur tek pallati 6 katësh nënë e bir, Dolora dhe Klaus Reçi.

Konfirmohet viktima e fundit në Thumanë – bilanci arrin zyrtarisht në 28

Është konfirmuar viktima e 28 nga tërmeti nga Thumana. Forcat speciale vijojnë kërkimet për mbi 20 persona që vazhdojnë të jenë nën rrënoja.

Kërkimet janë vijojnë në 6 pika mes zonave të Durrësit, Kënetës dhe Thumanës: tek tre pallatet e rrëzuara në Thumanë, tek hotel Mira Mare në Durrës, hotel Tropikal, tek lagjja nr.6 në Durrës dhe në afërsi të kryqit të kuq.

Pjesa më e madhe e njerëzve të humbur raportohen në zonën e Kënetës në Durrës dhe Thumanë. Grupet e shpëtimit nga Kosova, Italia, Greqia dhe Kroacia presin të stabilizohet situata për të rinisur operacionet e kërkimit. Ndërkohë që forcat franceze do të jenë të fokusuara në kërkimin e njerëzve të gjallë nën rrënoja.

***

Bilanci tragjik i tërmetit 6.4 ballë që goditi Shqipërinë, është rënduar akoma dhe më shumë.

Një person është nxjerrë i pajetë në rrënojat e njërit prej pallateve në Thumanë.

Grupet e shpëtimit e kanë nxjerrë pa shenja jete, pasi më herët qeni italian, ndihmoi për lokalizmimin e tij.

Në këtë mënyrë shkon në 32 numri i personave që kanë humbur jetën nga tërmeti. Nën rrënoja në Thumanë, ka ende një fëmijë 7 vjeç, burra dhe gra. Grupet e shpëtimit vijojnë operacionin pa u ndalur, me shpresën se do të gjejnë të tjerë persona të gjallë.

Në njërin prej pallateve në Thumanë kanë përfunduar kërkimet, pasi aty nuk ka më persona nën rrënoja.

***

Një tërmet i fortë ka goditur sërish territorin e Shqipërisë. Lëkundjet qenë të forta dhe zgjatën për disa sekonda.

Në mbi 30 orë Shqipëria është goditur nga rreth 500 paslëkundje që kanë ardhur pas goditjes së rëndë të mëngjesit të së martës me një shkallë prej 5.6 Rihter.

***

Tërmeti i fortë i mëngjesit të së martës nuk do të jetë i lehtë për t’u harruar nga shqiptarët. 31 persona kanë mbetur të vdekur deri tani, ndërsa kanë pësuar lëndime 657 të tjerë.

Qendrat më të goditura kanë qenë Durrësi dhe Thumana.

Ndërkohë që prej mëngjesit të djeshëm vijon kërkimi i të mbijetuarve dhe personave të zhdukur nën rrënoja e godinave të shembura në Durrës e Thumanë.

***

Ka shkuar në 29 numri i viktimave të tërmetit, që goditi vendin mbrëmjen e djeshme, ndërsa numri i të zhdukurve ende nuk dihet saktësisht.

Në këto momente po nxirren nga rrënojat në Thumanë Pëllumb dhe Çelike Greku, ndërsa mëngjesin e sotëm humbi jetën dhe djali i tyre Saimiri, në ambientet e spitalit të Traumës në Tiranë.

25-vjeçari nuk mundi ti mbijetonte plagëve të marra, pavarësisht se u nxor i gjallë nga rrënojat. Më herët mëngjesin e sotëm, u nxorën po ashti të vdekur nga rrënojat Klement dhe Hajredin Çupi, djali dhe babai, duke e rënduar ndjeshëm bilancin e viktimave.

Mes viktimave të tërmetit me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter ka pasur gra, fëmijë dhe të moshuar, ndërsa ajo që e bën dhe më të trishtë të gjithë situatën është numri i madh i personave që kanë humbur kontaktet me familjarët.

Dita e sotme është shpallur ditë zie Kombëtare, ndërkohë që kryeministri Edi Rama shpalli mëngjesin e sotëm gjendjen e jashtëzakonshme në Thumanë dhe në Durrës.

***

Para pak minutave Shqipëria është goditur edhe nga dy tërmete të njëpasnjëshme.

Tërmeti ka ndodhur 36 kilometra në afërsi të Tiranës derisa ka qenë me magnitudë 3.4 shkallë e tjetri me 2.1  shkallë.

Shqipëria dje u godit nga një tërmet me magnitudë 6.5 shkallë të Rihterit, duke lënë 27 të vdekur dhe qindra njerëz të lënduar.

Shumë objekte, ndërtesa dhe shtëpi, janë shkatërruar nga ky tërmet i fuqishëm, duke lënë edhe shumë njerëz jashtë shtëpive të tyre.

26 të vdekur

Dy persona të pajetë janë nxjerrë nga rrënojat në Thumanë mëngjesin e së mërkurës.

Keli Çupi, 32-vjeçar, dhe babai i tij, Hajredin Çupi, 67-vjeçar, e çojnë në 26 numrin e viktimave.

Sipas medieve shqiptare, 32-vjeçari u gjet me shenja jete, por ka pasur hemorragji në gjymtyrët e poshtme dhe nuk ka është arritur të nxjerret i gjallë.

Dyshohet se nën këto rrënoja mund të ketë edhe 4-7 persona të tjerë.

Kryeministri Edi Rama ka shpallur sot gjendjen e jashtëzakonshme pas tërmetit shkatërrues që ka marrë deri më tani 26 jetë njerëzish.

650 të plagosur dhe 24 të vdekur

Grupi i operacionit të shpëtimit në Durrës tek Vila Palma ka arritur ta nxjerrë 25 vjeçarin Klajdi Qato, i cili fatmirësisht ka arritur të mbijetojë.

Klajdi është djali i pronarit të kësaj ndërtese, ndërsa kishte qëndruar për 21 orë nën gërmadha.

Kujtojmë, që numri i viktimave nga tërmeti deri tani ka shkuar në 24, derisa gjendja vazhdon të jetë e rëndë, ku qindra qytetarë po kalojnë natën nën qiell të hapur në Durrës.

Niset autobusi i parë, familjet e Durrësit nisen për në Kosovë

Disa familje janë nisur drejt Kosovës për tu strehuar atje në këto momente të vështira.

Bëhet me dije se është nisur autobusi i parë drejt Kosovës me familje nga Durrësi.

Tërmeti ka shkaktuar panik tek qytetarët, të cilët kanë frikë të kthehen ne banesa.

Shumë qytetarë janë evakuar.

Zonat më të prekura janë Durrësi dhe Thumana.

Image

***

Shqipëria është në panik nga tërmeti 6.4 ballë që zgjati 30 sekonda. 24 persona kanë humbur jetën dhe 650 persona janë të plagosur nga tërmeti që ka shkundur Shqipërinë. Ndonëse ende nuk ka një bilanc të saktë, raportohet se nën rrënoja ka ende shumë njerëz.

Epiqendra e tërmetit ishte në afërsi të qytetit të Durrësit dhe 32 kilometra nga Tirana, ndërkohë që dëmet më të mëdha janë shkaktuar në qytetin bregdetar. 43 persona janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat.

Viktimat janë nxjerrë nga ndërtesat e rrëzuara në zonën e Thumanës, në Durrës dhe në Kurbin. Ndërkohë që po punohet ende për të nxjerrë qytetarë të tjerë nga rrënojat, çka bën që numri i viktimave mund të rritet në orët në vijim.

Zonat me problematike janë Durrësi, Golemi, Thumana, Lezha dhe Tirana. Në Thumanë, një grua e moshuar humbi jetën pasi u zu nën rrënoja. Një skenë rrëqethëse ku nuk mund t’i mbash dot lotët. Në prehërin e saj, të afërmit dhe forcat zjarrfikëse nxorën të gjallë nipin e vogël. Pra deri në këto momente janë 24 të vdekur dhe 600 të lënduar dhe plagosur.

Situata mbetet tragjike jo vetëm për numrin e madh të viktimave dhe të lënduarve, porse  ka akoma disa persona nën rrënoja. Frika nga ndonjë tërmet tjetër i atyre përmasave ka bërë që mijëra përsona të rrijnë jashtë shtëpive të tyre. Gjithashtu moria e qytetarëve që janë në makina në rrugët e Tiranës apo sidomos rruga për te TEG është stërmbushur, ku nuk gjen vend, pasi do ta kalojnë natën jashtë.

Image

Nga tërmeti katastrofik në orët e natës ka patur edhe 187 pasgoditje, ku në darkë fuqia e tërmetëve të tjerë ishte nga 4.5 deri në 5.1 ballë. Moria e këtyre pasgoditjeve ka sjellë panik te qytetarët.

Kosova ka hapur dyert për strehimin e familjeve shqiptare

Koordinatori Kombëtar i qeverive Kosovë-Shqipëri, Fatmir Limaj, ka thënë se të gjitha komunat e Kosovës janë të gatshme t’i strehojnë gjithë ato familje që kanë mbetur pa kulm mbi kokë. Limaj ka bërë me dije se e ka njoftuar qeverinë shqiptare, dhe se agjencitë e transportit në Kosovë kanë venë në dispozicion autobusët e tyre për t’i sjellë në Kosovë të gjithë ata qytetarë të Shqipërisë që vendosin të strehohen në Kosovë.

“Të gjitha komunat e Kosovës janë të gatshme t’i strehojnë gjithë ato familje që kanë mbetur pa kulm mbi kokë. Ne kemi njoftuar Qeverinë shqiptare, po ashtu agjensionet tona të transportit kanë venë në dispozicion autobusët e tyre për t’i sjell në Kosovë të gjithë ata qytetarë që vendosin të strehohen në Kosovë. Pra, përveç njësive të specializuara që u kanë dalë në ndihmë vëllezërve e motrave tona matanë kufirit, Kosova dhe qytetarët e saj janë gati dhe kanë hapur dyert për strehim”,- tha Fatmir Limaj.

 

Ka shkuar në 23 bilanci i viktimave nga tërmeti tragjik që tronditi Durrësin mëngjesin e kësaj të marte.

Një i riu nga Thumana ndërroi jetë në orët e vona të mbrëmjes së sotme pas orësh të tëra nën rrënoja.

***

Ka shkuar në 22 numri i viktimave nga tërmeti i fortë që goditi kryesisht Durrësin mëngjesin e sotëm. Një 30 vjeçare që u nxorr nga rrënojat e gjallë, gjeti vdekjen më pas në spital.

***

Thellohet bilanci i tragjedisë së tërmetit, shkon në 21 numri i viktimave.

Ndërkohë më parë ishin nënë e bir në Thumanë, që fatkeqësisht i kishte zënë poshtë tavolina e bukës që çuan në 20 numrin e viktimave.

Sipas mediave shqiptare, viktimat janë Sardi Cukaj dhe Mira Cukaj nënë e bir. Ndërsa po kërkohen prindërit e 25-vjeçarit që shpëtoi më herët.

***

Ministria e Mbrojtjes konfirmon se ka shkuar në 20 numri i viktimave, si pasoje e termetit tragjik qe ka goditur vendin diten e sotme.

Ndërkohë që nga rrënojat janë nxjerrë të gjallë 42 persona. Ekipet e emergjencave vijojnë operacionin e kërkim-shpëtimit në banesat dhe pallatet e dëmtuara në Durrës e Thumanë. Numri i personave të lënduar shkon në mbi 600 vetë.

***

Në lagjen 18 të Durrësit vijojnë kërkimet intensive në rrënojat e pallatit 6 katësh të shembur nga tërmeti.

Nën rrënoja ndodhen 6-7 persona. Grupet e kërkim-shpëtimit ndodhen në terren. Operacioni do të vazhdojë gjatë gjithë natës. Ndriçimi po bëhet me gjenerator.

Shpresat janë të shumta që të mund të kemi jetë të tjera të shpëtuara nga kjo tragjedi.

Operacioni është i ndërlikuar dhe mjaft i rrezikshëm për të depërtuar në atë katrahurë që ka mbetur nga ndërtesa shumëkatëshe.

Në vendngjarje ka dhe ekspertë nga Kosova.

Në Durrës janë 5 zona problematike ku po operohet. Dy grupe pune janë në lagjen 18 dhe në zonën e ish-Kënetës.

Armiku kryesor për autoritetet është koha. Po bëhen gati 14 orë nga rënia e tërmetit 6.4 ballë.

***

Deri më tani konfirmohet se kanë humbur jetën 18 persona dhe mbi 600 të tjerë të plagosur nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë, veçanërisht Durrësin dhe Thumanen.

Ndërkaq lëkundjet e tërmetit nuk kanë të ndalur, rreth orës 14: 05 minuta ishte një goditje tjetër e fuqishme e tërmetit në Shqipëri duke krijuar panik të madhe dhe njerëzit po qëndrojnë jashtë banesave të tyre.

Goditja ishte rreth 5.1 ballë me një thellësi 2 km në perëndim të Maurasit. Në Shqipëri që nga mesnata janë regjistruar mbi 20 tërmete, ndërsa më i fuqishmi ka qenë ai rreth orës 4:00 të mëngjesit, me 6.3 ballë.

Në Thumane po vazhdojnë kërkimet e disa banorëve të cilët kanë mbetur në gërmadha nga ndërtesat e shembura. Shumë banorë të cilët kanë shpëtuar janë të shqetësuar dhe brengosur për fatin familjarëve të tyre të cilët ende nuk janë gjetur.

Qytetarja Nafije Murati ishte e shqetësuar nga tërmeti i fuqishëm i ndodhur sot në orët e mëngjesit. Ajo thotë se janë në kërkim të mbesës 21-vjeçe që ka mbetur nën gërmadha.

Murati: Jemi nën kërkim të mbesës 21-vjeçe që ka mbetur nën gërmadha.

“Unë nuk banoj këtu, ka banuar vëllai im me nusen të cilët kanë shpëtuar, por gocën e tyre ende nuk e kanë gjetur... Tërmeti ka ndodhur nga ora 4:00 e mëngjesit. Ka qenë tërmet shumë i fuqishëm. Vajza e vëllait është 21-vjeçe”, theksoi Murati.

Edhe Lule Leka shprehet e brengosur për fatin e vajzës së motrës.

Leka: Jam e shqetësuar për gocën e motrës

“Jam e shqetësuar për gocën e motrës, kurse motra me gjithë burrë kanë dalë nga gërmadhat. Vajza e motrës është 20-vjeçe. Ishalla Zoti e ka në dorë, janë duke u munduar mjaft... (Ku do ta kaloni natën sonte?) Jashtë, pa u gjetur goca ne nuk mund të ikim. S’kemi çka të bëjmë”, deklaroi Leka.

Shaptore Muçi 73-vjeçe, po pret të dalin të gjallë dy familjarë të saj nga ndërtesat e shembura nga tërmeti.

Muçi: Nën rrënoja kam djalin e tezës me gjithë nuse

“Atje në rrënojë kam djalin e tezës me gjithë nuse. Kurse unë isha vetë në katin e shtatë vetë i gjashti dhe shpëtuam në Tiranë, isha te vajza. Kam ardhur drejt këtu, thosha po dalin, por s’po dalin, gjallë a vdekur. Unë me ikë pa dalë këta, s’po mund të iki”, tha Muci.

Lule Luli, e cila ishte vendosur me familje në një çadër të ngritur në një fushë sportive thotë se natën e sotme do ta kalojnë në çadër.

Luli: Natën do ta kalojmë në çadër

“Natën këtu do ta kalojnë, çka të bëjmë, ku të shkojmë. Jam me burrin dhe dy djemtë këtu. Kemi përkujdesje, na kanë sjellë batanije, ushqim, ujë. Gjatë daljes u rrëzuam, por shpëtuam, edhe unë këtu kam lënduar këmbën. Na u mbyllën dyert, nuk arritëm t’i hapim”, theksoi Luli.

Ndërkohë, flamuri kombëtar në Zyrën e Presidentit në Shqipëri është ulur në gjysmë shtizë në nderim të jetëve të humbura nga tërmeti në Shqipëri.

***

Rëndohet edhe më tej bilanci tragjik i tërmetit apokaliptik i ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm.  

Mësohet se një fëmijë  është nxjerrë i vdekur nga pallati i rrëzuar tek lagja 18 në Durrës.

Deri tani mësohet se bilanci i viktimave shkon në 18 persona.

Derisa po vazhdojnë kërkimet e ekipeve shpëtuese nën rrënoja, mbi 600 persona kanë marrë ndihmë nëpër spitalet e Shqipërisë.

Sipas të dhënave të fundit, prej 600 personave të lënduar prej tyre ka shumë që janë të lënduar rëndë.

Ekipe shpëtuese në Shqipëri kanë arritur nga të gjitha vendet e rajonit përfshirë këtu edhe Kosovën.

Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës dhe shumë njerëz nga Kosova kanë shkuar në Shqipëri për ndihmë, ndërsa Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro ndihmë për shtetin shqiptar.

Viktimat e tërmetit në Shqipëri janë të të gjitha moshave, nga 5 e deri në 75 vjeç.

***

Një tjetër trup i pajetë është nxjerrë nga rrënojat e shkaktuara nga tërmeti në Shqipëri.

Pas orëve të gjata, prej tërmetit të rënë në 03:55, një djalë nga Kosova është nxjerrë nga forcat e policisë dhe ushtria i pajetë, shkruajnë mediat shqiptare.

Së bashku me vëllain e tij, djali nga Kosova kishin mundur të kërkonin ndihmë përmes telefonit, por pas orëve të tëra në operacion shpëtimi, ai nuk mundi t’ia dalë.

Nuk dihet ende se si do të jetë fati i vëllait të tij, ndërsa lutjet e të gjithëve tashmë janë që personat nënë rrënoja t’ia dalin të mbijetojnë.

Ndërkohë, mediat shqiptare raportojnë se tashmë ka arritur në 17 numri i viktimave të tërmetit në Shqipëri.

Brenda 10 minutash, 2 tërmete të reja me intensitet më të ulët

Dy tërmete të njëpanjëshme sërish e kanë goditur shtetin e Shqipërisë.

Një tërmet me magnitudë prej 3.0 ka goditur para pak minutave qytetin e Tiranës, ndërsa tërmeti të tjetër ishte me magnitudë 3.0

Deri më tani mediat e Shqipërisë raportojnë se numri i viktimave nga tërmetet e mëparshme ka shkuar në 17, ndërsa raportohet për qindra të tjerë të lënduar.

Shqipëria goditet nga tërmeti i radhës në orën 15:32, 16 të vdekur, ndiqeni LIVE gjendjen atje 

Nga Durrësi vijnë lajme të këqija. Tashmë bilanci i viktimave nga tërmeti është rënduar duke e çuar numrin e atyre që kanë humbur jetën në 16.

Një trup i pajetë është nxjerrë nga rrënojat.

Ndërsa, numri i personave që kanë kërkuar ndihmë në spitale ka kaluar 600.

Ndërkohë, raportohet se ende ka njerëz nën rrënoja dhe po bëhet përpjekje që t’u ndihmohet pa rënë errësira.

***

Një tjetër tërmet me 4.0 magnitudë ka goditur Shqipërinë para pak minutave.

Epiqendra e këtij tërmeti raportohet të ketë qenë në Detin Adriatik.

Deri më tani mediat e Shqipërisë raportojnë se numri i viktimave nga tërmetet e mëparshme ka shkuar në 16, ndërsa raportohet se 28 persona janë shpëtuar deri më tani.

Për tërmetet tragjike që e goditën Shqipërinë, shumë shtete kanë nisur ekipet e tyre për ndihmë, në mesin e tyre edhe Kosova. Përveç tri ekipeve të FSK-së, në Shqipëri kanë shkuar edhe Policia e Kosovës.

***

Çdo orë që kalon rrit bilancin e viktimave të tërmetit.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaron se deri në orën 14:00 janë 15 të vdekur dhe 600 të plagosur.

Mes tyre 9 janë në gjendje të rëndë. “Viktimat kanë humbur jetën nën rrënoja”, ka thënë Manastirliu.

***

Një tërmet i fuqishëm ka rënë pak momente më parë duke shkaktuar edhe shembje të tjera të pallatit në Thumanë.

Rreth gjysmë ore më herët edhe një tjetër tërmet tjetër me magnitudë 4.54 ballë ka goditur Shqipërinë. Raportohet se tërmeti ka rënë në orën 13:14 afër Gjirit të Lalzit…

Kurse, pas tërmetit të fuqishëm 6.3 ballë që e ka goditur vendin, zyrtarisht 13 persona kanë humbur jetën, mes tyre 2 fëmijë. Ndonëse ende nuk ka një bilanc të saktë, raportohet se nën rrënoja ka ende njerëz. Epiqendra e tërmetit ishte në afërsi të qytetit të Durrësit dhe 32 kilometra nga Tirana, ndërkohë që dëmet më të mëdha janë shkaktuar në qytetin bregdetar.

Në Thumanë, aty ku paraqitet edhe situata më dramatike, një grua e moshuar humbi jetën pasi u zu nën rrënoja.

Një skenë rrëqethëse ku nuk mund t’i mbash dot lotët. Në prehërin e saj, të afërmit dhe forcat zjarrfikëse nxorrën gjallë nipin e vogël.

Sipas sizmiologut Rrapo Ormëni, tërmeti ka zgjatuar nga 20-0 sekonda, është i njëjtë me atë të vitit 1926 dhe ka patur intensitet 8 ballë. Goditja më e madhe tashmë ka kaluar dhe pritet të ketë disa paslëkundje.

Pas lëkundjes të fortë 6.4 ballë thuajse të gjithë qytetarët dolën në rrugë, shumica u larguan me automjete në zona të parrethuara nga ndërtesa, duke krijuar një situatë kaosi edhe në rrugë. Qytetet si rrallë herë u zgjuan jo nga lindja e diellit, por nga goditjet e forta sizmike të orës 03:35.

Image

Shtatë të vdekur nga tërmeti në Shqipëri, mbi 300 të lënduar

Tërmeti i fuqishëm i cili goditi Shqipërinë ka shkaktuar edhe viktima.

Deri më tani zyrtarisht janë konfirmuar shtatë persona të vdekur nga tërmeti, ndërsa dyshohet edhe për një viktimë tjetër.

Image

Ndërkohë më shumë se 320 persona kanë marrë plagë më të lehta dhe janë duke u mjekuar në spital.

Mësohet gjithashtu se 22 persona janë shpëtuar nga rrënojat në Durrës deri më tani.

Image

Rëndohet bilanci i viktimave/ Zyrtarisht 6 të vdekur, mes tyre një 10-vjeçare

Thellohet bilanci i viktimave nga tërmeti që goditi vendin. Ministrja e Mbrojtjes konfirmon se 6 persona kanë humbur jetën, ndërkohë që dyshohet se ka ende persona ende nën rrënoja.

Tragjik rezulton edhe fakti për një vogëlushe 10-vjeçare, e cila ka humbur jetën në banesën e saj në Thumanë, ndërkohë që nëna e saj ndodhet nën rrënoja e plagosur.

Ministria konfirmon se 1 viktimë është në Kurbin, 2 ne Thumanë e 3 në Durres.

Image

Persona të gjallë nën rrënoja, situata e rëndë në Thumanë

Një lajm i mirë vjen në mes të kësaj situate të rëndë nga tërmeti 6.4 ballë.

Forcat e Armatosura njoftojnë se në Thumanë, aty ku janë shembur tre pallate, raportohet për persona të gjallë në rënoja.

FA dhe ekipet e emergjencave po punojnë për heqjen e materialeve inerte, për të bërë të mundur shpëtimin e personave që kanë ngecur për më shumë se tre orë.

Dy fëmijë të mitur u shpëtuan nga rrënojat e një pallati në Thumanë, ndërsa dy gra u nxorrën të pajeta.

Sërish tërmet, 5 viktima nga tërmeti, 4 gra në Thuman dhe një person në Durrës 

Rëndohet bilanci i viktimave nga tërmeti. Ka shkuar në 5 numri personave që kanë humbur jetë.

4 gra në Thumanë dhe një person në Durrës janë lajmet që vijnë së fundmi.

***

Dy janë personat që kanë ndërruar jetë si pasojë e tërmetit të fuqishëm që goditi vendin rreth orës 03:50. Viktimat janë banorë të Durrësit dhe Kurbinit.

Kristi, studente vitit të tretë të mjekësisë, është konfirmuar si viktima e parë në pallatin disa katësh që u rrëzua në zonën e Kryqit të Kuq në Durrës. Ndërkohë, një person në Kurbin është rrëzuar nga ballkoni gjatë lëkundjeve të tokës.

Nē të gjithë vendin, në Tiranë, Durrës dhe Krujë, sipas të dhënave paraprake 150 qytetarë po marrin shërbim në spitale. Ekipet mjekësore aktualisht është në gjendje gatishmërie të plotë si në Tiranë, Durrës dhe gjithë Shqipërinë.

Ministria e Arsimit ka njoftuar se është pezulluar mësimi për ditën e sotme në Tiranë dhe Durrës.

Shembja e pallatit në Durrës, komshinjtë: Janë të paktën dy familje të bllokuara nën rrënoja

Image

Janë të paktën dy familje që dyshohet se kanë mbetur të bllokuara nën rrënojat e pallatit të shembur në qytetin e Durrësit, si pasojë e tërmetit me magnitutë 6.4.

Janë komshinjtë e banorëve të këtij pallati që tregojnë për gazetarin e Top Channel, Andi Bora, se janë të paktën 9 banorë që dyshohet se ndodhen ende nën rrënoja dhe të cilët nuk u përgjigjen në celular familjarëve të tyre.

Qytetarë të tjerë tregojnë në raportimin “live” në Top News se personat që jetonin në atë godinë, pranë Kryqit të Kuq, nuk po u përgjigjen thirrjeve.

Pamjet që vijnë nga Durrësi janë tronditëse.

Për godina të shembura raportohet edhe në Kavajë dhe Thumanë.

Edi Rama mbërrin tek pallati i shembur në Durrës

Image

Durrësi ka qenë më i dëmtuari nga tërmeti i rënë në orën 03:55. Një pallat është shembur dhe disa persona kanë mbetur nën rrënoja.

Akoma nuk dihet nëse ka viktima apo jo, por familjarët e tyre bëjnë me dije se i marrin në telefon dhe nuk përgjigjet.

Në vendngjarje ka mbërritur edhe kryeministri Edi Rama.

Tërmeti/ Konfirmohet viktima e parë, ka rënë nga ballkoni

Është konfirmuar viktima e parë si pasojë e tërmetit që ka rënë mëngjesin e sotëm.

Korespodentja e Top Channel ka bërë me dije se në Kurbin një person ka rënë nga ballkoni dhe si pasojë ka humbur jetën.

Situata më alarmante është në Durrës, ku deri më tani fatmirësisht nuk raportohet asnjë viktimë.

Viktima e parë nga Tërmeti në Shqipëri, një fëmijë nxirret nga rrënojat

Fatkeqësisht tërmeti i fuqishëm që lëkundi Shqipërinë në orën 3.55 të mëngjesit të sotëm ka shënuar viktimën e parë në Thumanë të Fushë-Krujës.

Një skenë tragjike, përlotëse dhe rrëqethëse. Një gjsyëh ka humbur jetën e zënë nën rrënoja nga shembja e një pallati, ndërsa në prehërin e saj mbante nipin.

I vogli është nxjerrë gjallë nga të afërm dhe forcat zjarrfikëse.

Nga raportimet nga terreni, thuhet se mund të bëhet fjalë për rreth 10 persona që mund të jenë nën rrënoja në godinat e shembura në Thumanë. Nuk dihet ende situata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat