Kosova me ndihmë financiare dhe teknike për Shqipërinë

Shqipëria

Kosova me ndihmë financiare dhe teknike për Shqipërinë

Më: 26 nëntor 2019 Në ora: 15:24
Qeveria e Kosovës

Shteti i Kosovës do t’i dalë në ndihmë Shqipërisë me të gjithë kapacitetet teknike e financiare, me qëllim të sanimit të pasojave që kanë shkaktuar tërmetet e ndodhura sot. Qeveria e Kosovës në një mbledhje urgjente ka vendosur të ndajë 500 mijë euro për shtetin e Shqipërisë, ndërkohë kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se përveç dërgimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në Shqipëri, ka urdhëruar edhe ndërmarrjet publike që të dërgojnë njësitet mbështetëse për ndihmë.

Pas marrjes së informacionit se disa tërmete e kanë goditur shtetin e Shqipërisë sot, në orët e para të mëngjesit Kosova ka nisur për Shqipëri, Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, më njësitet e tyre të specializuara që të ofrojë ndihmë në Shqipëri.    

Kryeministri Ramush Haradinaj ka mbledhur kabinetin qeveritar ku kanë vendosur që të ndajnë një shumë prej 500 mijë euro ndihmë financiare për Shqipërinë.

Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se kjo është shumë fillestare.

Hamza: Ministria e Financave propozon 500 mijë euro t’i ndahen Shqipërisë ndihmë financiare

“Bazuar në gjendjen e cila ka ndodhur në Republikën e Shqipërisë, Ministria e Financave i propozon Qeverisë së Kosovës që të ndajë një shumë fillestare prej 500 mijë euro për ndihmë për Republikën e Shqipërisë me rastin e tërmetit të ndodhur më 26.11.2019. Për të realizuar këtë shumë të mjeteve, mjetet në shumë prej 500 mijë euro merren nga shpenzimet e paparashikuar”, tha Hamza.

Ramush Haradinaj tha se sot ka urdhëruar ndërmarrjet publike për të dërguar njësitet mbështetëse në ndihmë për zonat e prekura.

Minierat e Trepçës dhe Artanës do të dërgojnë ekipet e shpëtimit, kurse Korporata Energjetike e Kosovës, njësinë e zjarrfikësve.

Gjithashtu, Haradinaj bëri të ditur se ka autorizuar të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes të kontraktuara nga Ministria e Infrastrukturës, që menjëherë të nisen për Shqipëri.

Haradinaj tha se Ministria e Transportit ka kontaktuar disa kompani me makineri të rëndë, sepse u është kërkuar të dërgojnë makineri të rëndë, meqë disa rrënoja janë të përmasave të mëdha dhe vështirë të depërtohet deri të vendi i fatkeqësisë.

Haradinaj: I kemi bërë përgatitjet e duhura për të ndihmuar Shqipërinë

“Me mëngjes i kemi bërë përgatitjet e duhura që njësitet e specializuara, për fat të mirë ushtria jonë është e specializuar, ka njësi të specializuar në kërkim shpëtim në këto raste dhe menjëherë marrin veprimet e duhura, njëkohësisht edhe policia dhe po ashtu kemi autorizuar kontraktorë privat, na është kërkuar prej institucioneve të Shqipërisë makineri e rëndë, kontraktorë të institucioneve tona kanë ndërmarrë menjëherë me shku sepse kërkohet hapja e arritjeve deri të vendi i gërmadhave ose objekteve të rrënuara. Kemi dhënë po ashtu autorizimin dhe kemi kërkuar menjëherë që njësitë e veçanta të kompanive tona publike, si rasti i KEK-ut, zjarrfikësit i ka më të përgatitur, Trepçës dhe minierave të tjera me u përgjigj”, tha Haradinaj.

Shefi i ekzekutivit tha se marrë parasysh që edhe Kosova mund të preket nga fatkeqësi të tilla, ka kërkuar nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave që të bëjë vlerësimin në nivel vendi të sistemit të alarmit dhe sinjalizimit për raste të kësaj natyre që të ndërmerren hapa të nevojshëm në mënyrë që vendi të jetë në gjendje gatishmërie.

Haradinaj: Na shqetësojnë ndërtimet jo të duhura të pasluftës

“Në periudha të caktuara kanë ndodh ndërtime në Kosovë ndoshta pa kontrollin e duhur të statikës dhe seizmikës, që janë me rendësi shumë. Por po shpresojmë shumë që nuk do të përballemi me këtë, mirëpo ndërtimet e pasluftës menjëherë, sidomos pas ’99-ës me gjasë në ato 10 vjet e para nuk ka ndodh kontrollet e duhura të mjaftueshme, dhe ato na shqetësojnë, por e thash edhe një herë se Kosova ka kapacitetet e veta”, tha ai.

Haradinaj tha se kanë marrë konfirmimin prej të gjithë departamenteve, njësive dhe institucioneve të vendit, që ekziston një protokoll i gjithanshëm më rast që Kosova preket nga tërmete të tilla.

Ai kërkoi nga institucionet publike, spitalet, shkollat e institucionet e tjera që menjëherë të adresojnë protokollet e mobilizimit për emergjenca kombëtare, duke përfshi caktimin e personave emergjent, planet e evakuimit të personave përgjegjës ndaj këtyre emergjencave.

Në orët e hershme të së martës, Shqipëria është goditur nga disa tërmete, dridhja e të cilëve është ndjerë edhe në Kosovë, dhe deri tani dhjetëra persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë kanë mbetur të lënduar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat