Gratë mund të shpëtonin”, familja Lala gati shuhet, i afërmi flet “i penduar”: Nëse do kishim lënë rrugë për zjarrfikësen…

Shqipëria

Gratë mund të shpëtonin”, familja Lala gati shuhet, i afërmi flet “i penduar”: Nëse do kishim lënë rrugë për zjarrfikësen…

Më: 27 nëntor 2019 Në ora: 12:05
Foto termeti

Ndërtimet pa kriter janë armiku kryesor i grupeve të shpëtimit dhe punonjësve të repartit zjarrfikës. Familja Lala mund të kishte më pak viktima dhe më shumë të mbijetuar nëse zjarrfikësja do të kishte mundësi të shkonte deri afër shtëpisë së shembur.

Sipas banorëve, të cilët kanë pjesën e tyre të fajit, që i kanë ndërtuar shtëpitë në distanca shumë të afërta me njëra- tjetrën, duke mos llogaritur që në ditë të tilla duhet të futen edhe mjetet e rënda për t’u ardhur në ndihmë këtyre familjeve, numri i viktimave do të ishte më i vogël nëse zjarrfikësja do të kish ardhur më shpejt.

“Nëse do të kishte ardhur më shpejt zjarrfikësja, gratë do kishin shpëtuar sepse nuk ishin shumë thellë.

Zjarrfikësja nuk kishte nga të kalonte sepse rruga është shumë e ngushtë, prandaj edhe operacioni i shpëtimit nisi me disa orë vonesë.

Një pjesë të fajit e kemi vetë, pasi kemi ndërtuar pa kriter duke mos llogaritur hapësirën për të kaluar zjarrfikësja në raste të tilla. Këto janë pasojat.

Nëse do të kishim lënë hapësirën e nevojshme, me shumë gjasa do të kishim më shumë të mbijetuar në këtë familje”, tha për gazetën Sadik Thaçi, i afërmi i familjes Lala.

Familja Lala, e vendosur prej disa vitesh në zonën e ish-Kënetës në Durrës, është më e goditura nga tërmeti që tronditi qytetin bregdetar mëngjesin e së martës. Katër pjesëtarë të kësaj familjeje raportohen të vdekur, kurse djali 16 vjeç u shpëtua nga grupet e shpëtimit. Pesë anëtarë të tjerë ndodhen nën rrënojat e vilës 3- katëshe, e cila u shemb totalisht në pak minuta.

Sipas Policisë, viktimat janë: Selvie Lala, 74 vjeçe; nusja e saj, Sahete Lala, 50 vjeçe, bashkë me dy vajzat, Amelja Lala, 10 vjeçe dhe Arjela vetëm 5 vjeçe. Në vilën 3-katëshe, ku jetonin tre vëllezërit Lala së bashku me familjet e tyre (në total 9 anëtarë), ishte ndër të paktat që u shembën në zonë. Të gjitha objektet që e rrethonin këtë vilë nuk kanë pësuar dëmtime, ndërkohë që lëkundjet e tërmetit me magnitudë 6.3 groposën nën rrënojat e këtij objekti të gjithë anëtarët e familjes. Për fatin e mirë, kësaj tragjedie i shpëtoi mrekullisht Rema Lala, 16 vjeç, i cili u nxor i gjallë nga rrënojat nga grupi i kërkim-shpëtimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat