Ngrihet kamp akomodimi për banorët e Vorës

Shqipëria

Ngrihet kamp akomodimi për banorët e Vorës

Më: 30 nëntor 2019 Në ora: 07:51
Vora

Në Bashkinë e Vorës, lëkundjet e tërmetit shkaktuan dëmtime në banesa, por edhe në disa prej pallateve. Pas vlerësimit të bërë nga ana e inxhinierëve të  Institutit të Ndërtimit, këto banesa janë konsideruar si të pabanueshme.

Për t’ju ardhur në ndihmë këtyre banorëve, me ndihmën e skuadrave të emergjencave civile, të ardhura nga Italia është bërë e mundur ngritja e një kampi, në qytetin e Vorës, ku janë sistemuar provizorisht qytetarët, banesat e të cilëve janë bërë të pabanueshme si pasojë e tërmetit.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se bëhet fjalë kryesisht për banorët e pallateve në qendër të Vorës, të cilët tashmë janë bërë të pabanueshëm, ndërsa sa i takon banorëve të zonave rurale,  Balluku tha se u janë ofruar çadra strehimi, për shkak se nuk kanë pranuar të largohen nga banesat e tyre pavarësisht dëmeve që kanë pësuar.

Ministrja njoftoi gjithashtu se grupeve të inxhinierëve të Institutit të Ndërtimit do t’ju bashkohen edhe inxhinierë nga vendet e tjera të Europës, për të përfunduar sa më shpejt procesin e vlerësimit të gjendjes së ndërtesave.

Në kampin e ngritur parashikohet të akomodohen rreth 200 qytetarë të Vorës. Çadrat e vendosur janë të një cilësie të lartë çka do të mundësojë kushte optimale për të kaluar këtë periudhë tranzitore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat