8 anëtarë u shuan nga tërmeti, i gjithë Durrësi homazhe për familjen Lala

Shqipëria

8 anëtarë u shuan nga tërmeti, i gjithë Durrësi homazhe për familjen Lala

Më: 30 nëntor 2019 Në ora: 13:41
Pamje nga video

Pamja është e dhimbshme. Tetë arkivolë dolën nga Pallati i Kulturës në Durrës për t’u përcjellë drejt banesës së fundit, aty ku anëtarët e familjes Lala do të prehen përgjithmonë.

Familja Lala është një ndër më të prekurat rëndë nga tërmeti i 26 Nëntorit, me numrin më të lartë të viktimave. I vetmi që u nxorr gjallë nga vila e familjes Lala në zonën e ish-Kënetës, është 17-vjeçari Ramë Lala.

I gjithë Durrësi ka marrë pjesë në homazhet që u zhvilluan në Pallatin e Kulturës, për të nderuar Sadete Lalën, Ilir Lalën, Griselda Lalën, Marjeta Lalën, Emilio Lalën, Amelia Lalën dhe binjakët Dionis e Dionisa Lalën.

Të pranishëm kanë qenë Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta.

“E pamundur të gjesh fjalë për të ngushëlluar familjen Lala pas kësaj tragjedie të tmerrshme. Zoti u dhëntë forcë për ta përballuar këtë dhimbje të pangushëllueshme. Detyrimi ynë për t’i qëndruar pranë atyre gjithmonë”, është shprehur Presidenti Meta.

Vila e familjes Lala u shemb nga tërmeti i fortë me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter në orën 03:54 të 26 Nëntorit. Lëkundjet sizmike kishin dëmtuar themelet dhe shtëpia ishte shembur pjesërisht duke bllokuar nën rrënoja anëtarët e familjes Lala.

Ndërsa në orën 07:00 kur ra dhe tërmeti i dytë 5.4 ballë, e gjithë vila u rrëzua tërësisht duke u bërë rrafsh me tokën. I vetmi që komunikonte me ekipet e kërkim-shpëtimit ishte 17-vjeçari Ramë Lala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat