Partia “Zgjidhja”: Duhet një strategji kombëtare, jo marrëveshje mëkatarësh

Shqipëria

Partia “Zgjidhja”: Duhet një strategji kombëtare, jo marrëveshje mëkatarësh

Më: 30 nëntor 2019 Në ora: 19:14
Ilustrim

Kryeministri Rama, në situatën e ndodhur pas tërmetit të 26 nëntorit, u bëri thirrje partive opozitare “të ulemi pa humbur kohë në tryezë për të dëgjuar idetë dhe propozimet e tyre konkrete”.

Partia “Zgjidhja” nëpërmjet një deklarate për shtyp thekson se ka bërë thirrje të vazhdueshme për një paketë ligjore me masa të jashtëzakonshme, për një strategji kombëtare kundër tërmeteve.

“Nuk do të ishim në këtë situatë si sot, me mbi 50 viktima, qindra të lënduar, mijëra të pastrehë dhe një komb të tronditur psikologjikisht, nëse do të qeveriseshim prej njerëzve të ditur dhe të ndershëm të këtij vendi”- vijon Zgjidhja deklaratën.

Deklaratë shtypi e partisë ‘Zgjidhja’

Duhet një strategji kombëtare, jo marrëveshje mëkatarësh

Kryeministri Rama u bëri thirrje partive opozitare dhe personalisht liderit të PD-së, Lulzim Basha, që “të ulemi pa humbur kohë në tryezë për të dëgjuar idetë dhe propozimet e tyre konkrete”.
Partia ‘Zgjidhja’ ka bërë thirrje vazhdimisht për një paketë ligjore me masa të jashtëzakonshme për mirëadministrimin e ndihmave dhe për menaxhimin e krizës, për një strategji kombëtare kundër tërmeteve që Shqipërisë t’i kthehen standardet e rrënuara të ndërtimit dhe të kontrollit të territorit.

Nuk do të ishim në këtë situatë si sot, me mbi 50 viktima, qindra të lënduar, mijëra të pastrehë dhe një komb të tronditur psikologjikisht, nëse do të qeveriseshim prej njerëzve të ditur dhe të ndershëm të këtij vendi.
Nuk do të binin ndërtesat shumëkatëshe si kuti kartoni nëse nuk do të ishin hedhur në rrugë ekspertët dhe profesorët dhe t’ua linin punët e shtetit në dorë servilëve dhe vulgut të militantëve që punojnë për pushtetin dhe pasurimin e kryetarëve të partive të vjetra.

Sali Berisha, në vitin 2006, i shkriu me VKM institutet shkencore, për t’i atashuar gjoja pranë universiteteve. Sot ai derdh lotë krokodili për viktimat e tërmetit, por 13 vite më parë e shkatërroi Institutin e Sizmologjisë, flaku në rrugë me dhjetra profesorë, inxhinierë dhe njerëz të ditur që ia kishin kushtuar jetën profesionit. Pasuria e tyre teknike dhe materiale u hodh në plehra dhe Shqipëria mbeti i vetmi vend pa institucione kërkimore dhe shkencore.
Qeveritë e partive të vjetra e lanë kontrollin e territorit në dorë të paligjshmërisë, lejuan betonizimin kaotik, pa studime sizmike dhe pa specialistë.

Partia ‘Zgjidhja’ ka kërkuar hartimin e një strategjie kombëtare për t’u dhënë fund fatkeqësive, që vijnë jo nga tërmeti, por nga rrënimi i institucioneve kërkimoro-shkencore dhe të standardeve në sektorin e ndërtimit. Ato duhen ringritur dhe modernizuar, sepse janë investime për të mbrojtur pasurinë e shqiptarëve sot dhe në të ardhmen. Kërkohen kode e reforma të thella, legjislacion i kompletuar dhe institucione që rregullojnë tregun e pronave të patundëshme, industrinë dhe ekonominë e ndërtimit, sigurinë e jetës dhe pasurisë së shqiptarëve nga tërmetet, rrëshqitjet, përmbytjet dhe forcat e tjera madhore.
Qeveria e Ramës me ministrat kukulla, idiotë, tutkunë e servilë nuk bëri asgjë për të korigjuar sadopak situatën, por e përkeqësoi edhe më tej atë.

Sot kryeministri kërkon një marrëveshje mëkatarësh për të mbuluar paaftësinë e tij turpëruese për të qeverisur situatën. Në vend të lavazhit të truve që kërkon t”u bëjë shqiptarëve, të paraqesë e miratojë në parlament me deputetët aktualë paketën ligjore me masa të jashtëzakonshme për të mirëadministruar situatën dhe ndihmat, të vendosë rend e kontroll për të mos lejuar asnjë abuzim me bujarinë, fisnikërinë dhe vetëdijen e kombit tonë dhe as me banesat e braktisura.

Partia ‘Zgjidhja’ e përligj shqetësimin mbarëpopullor se kjo qeveri e korruptuar dhe e papërgjegjshme nuk do t’i kanalizojë për të pastrehët fondet e shumta, të dhëna me solidaritet nga qytetarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, diasporë dhe nga qeveritë e huaja. Nuk na duhen marrëveshjet e tij me PD-në. Në çdo rast kjo ka rezultuar një marrëveshje mëkatarësh në dëm të interesave të shtetit dhe të kombit tonë. Na duhet qeverisja me kompetencë e krizës dhe kolapsit.

‘Zgjidhja’ bën thirrje që drejtimin e punëve të vendit ta marrin njerëzit e ditur të Shqipërisë. Qeveria ti lërë marrëveshjet me PD-në dhe të fillojë me ekspertët më të mirë të fushave projektet e ndërtimit të blloqeve të reja të banimit me cilësi të lartë dhe të negociojë mbështetjen e duhur ndërkombëtare financiare, teknike, shkencore dhe logjistike për të mos lënë asnjë të dëmtuar nga tërmeti pa banesë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat