“Dua një shtëpi të futemi brenda”, historia e 34-vjeçares së sëmurë dhe nënës së saj të verbër

Shqipëria

“Dua një shtëpi të futemi brenda”, historia e 34-vjeçares së sëmurë dhe nënës së saj të verbër

Më: 1 dhjetor 2019 Në ora: 21:19
“Dua një shtëpi të futemi brenda”, historia e 34-vjeçares së sëmurë dhe nënës së saj të verbër

Ndër të prekurit e tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri është edhe familja Plaku në Shijak, saktësisht 34-vjeçarja Xhuana Plaku, e cila ka probleme me shikimin (e verbër në njërin sy) dhe mamaja e saj e verbër, Igballe.

Banesa e tyre pësoi dëmtime që në tërmetin e shtatorit, ku ekspertët e cilësuan si të pabanueshme.

“Nuk kishim ku jetonim, [kështu që] ndenjëm aty”, tregon Xhuana gjatë një lidhjeje direkte në edicionin e jashtëzakonshëm informativ të Top Channel.

Por tërmeti i 26 nëntorit do t’i jepte shtëpisë goditjen finale. Xhuana, babai i së cilës ndërroi jetë kur ajo ishte 3 vjeçe duke e lënë të vetme me mamanë e sëmurë rrëfen momentet e tmerrit.

“Derisa u ngritëm ne ranë komplet gurë, sepse shtëpia është e pabanueshme ; ranë suvatimet, të gjitha brenda. Dolëm përjashta dhe kaq. Tani na mori çuni i xhaxhait dhe jemi aty, te xhaxhai. Pata frikë se ishte një lëkundje e fortë, mezi hapëm derën, sepse është e vjetër, e dëmtuar. Kanë ardhur ekspertë, e kanë verifikuar, kanë thënë është e pabanueshme, ndërsa shërbim mjekësor jo. Erdhën të komunës na ofruan çadër, por ne nuk jemi për çadër. Unë jam me operim në zemër mami me infarkt”, tregon Xhuana.

Kërkesa e saj e vetme është që të ketë një shtëpi të futet brenda.

“Dua një shtëpi të futemi brenda, dua një banesë, kudo që të të jetë,” thotë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat