Basha, thirrje nga Manza: Gjendja po rëndohet prej motit, urgjente marrja e masave për strehim dhe rindërtim

Shqipëria

Basha, thirrje nga Manza: Gjendja po rëndohet prej motit, urgjente marrja e masave për strehim dhe rindërtim

Më: 3 dhjetor 2019 Në ora: 17:17
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte sot në Manëz të Durrësit, një ndër zonat më të prekura, ku pa nga afër problemet me të cilat po përballen banorët.

Basha i bëri thirrje qeverisë që të marrë masa urgjente për strehim të banorëve.

Ai tha se gjendja po rëndohet akoma më shumë për shkak të motit.

“Gjendja po rëndohet për shkak të motit. URGJENTE marrja e masave për strehim dhe alokimi i fondeve për rindërtim. 5 pallate me nga 25 familje në Manëz janë të pabanueshme".

"Banorët po nxjerrin orenditë për tu zhvendosur tek të afërmit në pamundësi të një strehe. Të tjerë që janë strehuar në çadra janë në kushte shumë të vështira edhe për shkak të motit me shi dhe të ftohtit".

" Ata thonë që u kanë ardhur në ndihmë vetëm shoqatat, ndërsa denoncojnë abuzime në mënyrën e trajtimit të qytetarëve.”

"Duhet ndërhyrje e menjëhershme që të lehtësojmë vuajtjet dhe dhimbjen e mijëra familjeve”, nënvizoi Lulzim Basha, sipas të cilit, çdo ditë që kalon, bëhet më e vështirë për këta banorë që me fëmijë të vegjël prej ditësh jetojnë në çadra.

“Të tjerë jetojnë në makina dhe ankohen se askush nuk ka ardhur të vlerësojë gjendjen e banesave të tyre. Është e domosdoshme të angazhohen sa më shumë inxhinierë e specialistë. 500 inxhinierë janë të gatshëm të kontribuojnë vullnetarisht, mjafton që qeveria t’i angazhojë".

"Paratë që shkojnë tek 10 oligarkë duhet të shkojnë tek mijëra qytetarë që kanë mbetur në mes të katër rrugëve, pa strehë dhe pa ushqim. Me 150 milion dollarë që marrin 10 oligarkë mund të rindërtohet pjesa dërrmuese e objekteve të banimit të shkatërruar nga tërmeti".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat