Lamtumirë Reshat! - Bota Sot
Lamtumirë Reshat!

Shqipëria

Lamtumirë Reshat!

Nga: Beqir Sina Më: 6 dhjetor 2019 Në ora: 06:28
Reshat Kripa

U nda sot nga jeta në moshën 83-vjeçare Reshat Kripa një intelektual dhe aktivist i përkushtuar,  ish i burgosur politik antikomunist, anëtari i kryesisë kombëtare dhe themelueses i Shoqatës së ish të përndjekurve në Shqipëri,shkrimtar e publicist.

Zoti Reshat jetoi një jetë plot andralla e vuajtje përgjatë gjithë viteve të regjimit komunist. U arrestua që në moshën 15 vjeç, i akuzuar se kishte ngritur një organizatë antikomuniste dhe me në  grup shokësh shkolle shpërndanin trakte kundër regjimti të Hoxhës në Vlorë,

Historinë e këtij djaloshi guximtar e bëmë pjesë të ciklit Dosja K, vetëm vitin e shkuar. 

Image

Reshat Kripa 

(Ish-i burgosur politik)

Ka lindur mё 28 janar 1936 nё qytetin e Vlorёs. Rjedh nga njё familje intelektuale qytetare. I ati, Qazim Kripa ka kryer studimet nё “Robert College”, nё Stamboll. U kthye ne atdhe nё prag tё shpalljes sё Pavarёsisё kombёtare, mё 1912. Pas kthimit nё atdhe u mor me tregti, fillimisht me njё kafe dhe mё pas me ngritjen e njё fabrike pёr prodhimin e vajit tё ullirit dhe tregtimin e tij.

Nёna, Mynevere Kripa, ishte e bija e njё avokati tё njohur nё qytet, Mehmet Radhimёs, i cili ishte drejtor dogane nё qeverinё e Ismail Qemalit. Nё vitin 1942 familja e Reshat Kripёs u shpёrngul nё Tiranё dhe vazhdonin me tregtinё e vajit. Nё vitin  1946 pas shtetёzimit tё fabrikёs sё vajit, me vendim tё Ministrisё sё Brendshme dёbohen nga Tirana pёr motive politike. Shpёrngulen sёrish nё Vlorё, ku fillojnё tё trajtohen si armiq tё popullit.

Mё 1950, vёllai i Reshat Kripёs, Besniku krijoi njё grup tё fshehtё sё bashku mё dy shokёt e tij, Alajdin Alemin dhe Lavdosh Beqon dhe shpёrndanin trakte nё gjimnazin e qytetit. Ata u dёnuan me 15 vite burg.

Nisur nga kjo situatё, Reshat Kripa nё moshёn 15 vjecare nis njё revoltё kundёr pushtetit. Sё bashku me dy shokё tё klasёs, Myrteza Babocin dhe Jorgo Beshon, nё vitin 1951 krijuan njё grup tё fshehtё qё shpёrndante trakte nё qytet. Pas katёr muajsh, mё 24 maj 1951 ata arrestohen. Akuza e dёnimit ishte : “Pёr Agjitacion dhe Propagandё”. Pёr shkak tё moshёs sё mitur ai dёnohet me 5 vite burgim.

1942 familja e Reshat Kripёs shpёrngulet nё Tiranё, ku vazhdojnё tregtinё e vajit.

1946 pas shtetёzimit tё fabrikёs sё vajit dёbohen nga Tirana nё drejtim tё Vlorёs pёr motive politike.

1950 vёllai i Reshat Kripёs, Besniku dёnohet me 15 vite burg

1951 Reshat Kripa nё moshёn 15 vjecar krijoi njё grup tё fshehtё pёr tё shpёrndarё trakte nё qytet.

24 maj 1951 arrestohet dhe dёnohet me 5 vite burg

Akuza e dёnimit ishte: ” Pёr Agjitacion dhe Propagandё”

Ndahet nga jeta Reshat Kripa! Basha: Humbje e madhe, ishte luftëtar i paepur kundër diktaturës

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka shprehur dhimbjen për këtë humbje, e ndërsa ka treguar edhe kalvarin e gjatë të vuajtjeve në burgje të Reshat Kripës.

Reshat Kripa, një nga figurat më të njohura antikomuniste në vend, ish-burgosur dhe i përndjekur politik, është ndarë nga jetë në moshën 83-vjeçare.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka shprehur dhimbjen për këtë humbje, e ndërsa ka treguar edhe kalvarin e gjatë të vuajtjeve në burgje të Reshat Kripës.

Postimi i Bashës:

Mësova me dhimbje të thellë ndarjen nga jeta të z. Reshat Kripa, pinjoll i një nga familjeve më të njohura të Vlorës dhe një luftëtar i paepur kundër diktaturës dhe për lirinë e individit.

Z. Kripa e njoha fillimisht nga librat që flisnin për rezistencën ndaj diktaturës komuniste, ku Reshati, që në moshën 15 vjeçare, bashkë me dy shokë të tij, shpërndante thirrje-trakte për rrëzimin e diktaturës. “Duke pasur flamurin kuq e zi të Skënderbeut të ngrihemi që të gjithë të luftojmë për lirinë e grabitur”, thuhej në njërin nga traktet e 15-vjeçarit Kripa. “Për Shqipëri, për liri, për flamurin kuq e zi”.

Firmosur nën pseudonimin “Atdhetari”, kjo veprimtari e hershme e Reshat Kripës do të shenjonte në fakt të gjithë jetën e tij. Në burgun e hershëm për minorenët, e më vonë në burgjet e gulagët e diktaturës, Reshati nuk e pranoi kurrë rreshtimin e Shqipërisë përkrah diktaturave komuniste.

Edhe pas rrëzimit të Perdes së Hekurt, Reshat Kripa mbeti Atdhetari që kish qenë, një luftëtar i rangut të parë kundër çfarëdolloj tentative për restaurimin e pushtetit të nomenklaturës. Ai sëbashku me të motrën, aktoren e paharruar Drita Pelinku (Kripa), u angazhuan pa u lodhur në betejën e demokracisë së re të Shqipërisë për respektimin e të drejtave të njeriut.

Reshat Kripa ishte themelues i Shoqatës së Ish-të Përndjekurve Politikë dhe një aktivist i pashoq në betejën për rehabilitimin, integrimin dhe dëmshpërblimin e drejtë të ish-të përndjekurve politikë. Në këtë sfidë të dytë të jetës së tij pata fatin ta njoh personalisht Reshat Kripën dhe të ndaja me të energjinë e angazhimit për një kauzë të drejtë.

Me largimin e tij, familja humbi njeriun e saj të shtrenjtë, por aktivizmi i tij politik, publicistik e shoqëror do të mbeten trashëgimia e tij më e vyer për bashkëvuajtësit, si dhe të gjithë shqiptarët që ndanin me të aspiratën për ta parë sa më shpejt Shqipërinë një anëtare të denjë të familjes europiane.

U prehtë në paqe!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat