Rrëfimi i zjarrfikësit: Poshtë rrënojave kërkonin ndihmë, Lindita Carën e shpëtoi lavatriçja

Shqipëria

Rrëfimi i zjarrfikësit: Poshtë rrënojave kërkonin ndihmë, Lindita Carën e shpëtoi lavatriçja

Më: 7 dhjetor 2019 Në ora: 16:36
Foto

Ekipi i zjarrfikëses së Krujës ka qenë i pari që kanë mbërritur në Thumanë pasi janë lajmëruar nga banorët e zonës për t’ua ardhur në ndihmë personave që kishin mbetur poshtë rrënojave të pallateve.

Njëri prej tyre, Eduard Tupi rrëfen momentet e para të operacionit të shpëtimit.

Eduard Tupi: Isha në punë atë natë dhe kam ardhur në momentin e parë tek pallati ku ka ndodhur fatkeqësia më e madhe. Ne dhe ambulanca ishim të parët që erdhëm.

Duke e cilësuar si ngjarjen më të vështirë të jetës së tij, zjarrfikësi shqiptarë tregon se si ende pa zbardhur dëgjonte zëra poshtë gërmadhave që kërkonin ndihmë.

Eduard Tupi: Dikush bërtiste nën rrënoja për ndihmë, aty tek këmbët kishim njerëz të vdekur që kishin rënë nga kati i 5-të. Pastaj si filloi të zbardhej, erdhën edhe forcat shtesë, pjesa e njerëzve që kishin dalë nga pallati dhe kërkonin ndihmë, ata shikonin tek ne shpëtimtarët. Por vetëm zoti që i bëri këtë mund ta bënte edhe atë shpëtim të madh.

Edhe pse e pranon që për shkak të numri të pakët të ekipit shqiptar, luftuan me mish dhe shpirt për të nxjerrë frymë të gjallë nga tërmeti vdekjeprurës.

Eduard Tupi: Është nxjerr një person nga kati i 3-të, është nxjerrë një grua në katin poshtë me gjithë një fëmijë që është nxjerrë gjallë. Edhe një person, që ishte gjallë. Ndërsa një plakë ishte e vdekur dhe një ngjitur me të që ishte i vdekur.

I trishtuar rrëfen rastin e Klement Çupit, pse nuk arritën ta nxirrnin të gjallë, edhe pse gjatë gjithë kohës komunikonte me grupet e shpëtimit dhe familjarët e tij, madje herë herë edhe duke bërë shaka me to.

Eduard Tupi: Nga lindja ishte një burrë që kërkonte ndihmë vazhdimisht. Diku më afër ishte e ëma e tij që kishte vdekur. E mbante arkitrahu i dritares që ne të vazhdonim punën shumë me ngadalë, sepse një gabim i vogël e shypte.

Ndërsa për Lindita Carën, e cila i shpëtoi luftës me vdekjen, zjarrfikësi shqiptar shpjegon arsyen se si arriti të dilte nga aty pasi më shumë se 10 orë.

Eduard Tupi: Edhe forcat greke na ndihmuan që e kanë nxjerrë në katë të parë. Thjesht e ka ruajtur një lavatriçe aty, diku më andej nxorëm 3 të vdekur.

24 trupa të vdekur u nxorën nga rrënojat e 2 pallateve, me ndihmën e banorëve, ekipeve shqiptare dhe atyre të huaj. Disa prej tyre ndërruan jetë pas shumë orë luftë me vdekjen, pasi nuk i mbijetuan plagëve të marra.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat