Veliaj: 10 godina në Kodër-Kamëz do shemben se përbëjnë rrezik

Shqipëria

Veliaj: 10 godina në Kodër-Kamëz do shemben se përbëjnë rrezik

Më: 10 dhjetor 2019 Në ora: 07:07
Foto

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi në mbledhjen e sotme vendimet për shembjen e disa godinave në Universitetin Bujqësor të Kamzës, të cilat për shkak të amortizimit dhe tërmetit janë kthyer në një rrezik për jetën e familjeve dhe studentëve që strehohen to.

Bëhet fjalë për 8 godina që janë zënë nga familjarë gjatë viteve të tranzicionit, duke pësuar edhe ndërhyrje që e kanë dëmtuar në strukturë, si dhe dy godina të tjera ku strehohen studentë.

Këshilli Bashkiak vendosi shembjen e tyre, pasi paraqiten ndërtesa të paqëndrueshme.

Veliaj nënvizoi se ashtu sikurse familjet që janë të strehuara aktualisht në këto 8 godina, do të marrin bonus qiraje nga Bashkia e Tiranës.

“Bëhet fjalë për godina të superamortizuara, të ndërtuara nga vetë studentët, me punë vullnetare. Pra dikush vinte për Inxhinieri, ose për Letërsi, apo në rastin atje, vinte për Hortikultorë apo Veterinari, dhe ndërtonte vetë edhe konviktin. Në Institut Bujqësor të dhjeta janë të amortizuara, nuk ka nevojë të marrim rrezik fare. Për familjarët në 8 godina do trajtohen me bonusin e qirasë”, tha Veliaj.

Ndërkohë, për dy konviktet studentore ai bëri të ditur do të bëhet rimbursimi plotë, duke qenë se as ato nuk ofrojnë garanci dhe siguri në godinat ekzistuese.

Ai siguroi se studentët që jetojnë këtu do të kompensohen.

“Për dy konviktet studentore kam dhënë porosi që të bëhet i plotë rimbursimi, duke qenë se nuk ofrojmë këtë garanci dhe këtë siguri në godinat ekzistuese”, deklaroi Veliaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat