Të flesh “nën” depozitat e ujit, qytetarët ndihen të rrezikuar

Shqipëria

Të flesh “nën” depozitat e ujit, qytetarët ndihen të rrezikuar

Më: 10 dhjetor 2019 Në ora: 16:41
Depozitat e ujit

Tërmeti i 26 nëntorit solli në vemendje rrezikun që mund të vijë nga depozitat e ujit të vendosura në tarracat e pallateve. Megjithëse është premtuar disa herë nga bashkia e Tiranës për heqjen e tyre, soletat e pallateve janë të mbingarkuara me depozita.

"Do të fillojë çmontimi i depozitave, është një lajm që është pritur prej 25 vjetësh" pati premtuar Veliaj.

Në harkun kohor të një viti nga 2016 në 2017, kryeabashkiaku Erion Veliaj ka premtuar dy herë heqjen e depozitave nga tarracat e pallateve, por për shkak të problemeve të furnizimit me ujë të pijshëm tarracat janë të mbingarkuara me depozita të cilat përbëjnë një rrezik serioz për qytetarët në çdo rast tërmeti.

Një familje një depozitë. Kjo është situata në pjesën më të madhe të tarracave të pallateve në kryeqytet. Pas tërmetit të 26 nëntorit prania e tyre po shihet me rrezik edhe nga vetë qytetarët.

"Pjesa më e madhe e banorëve kanë nga një depozitë, ashtu siç kam dhe unë. Ndikojnë se kanë peshë."

"Janë të dëmshme për pallatin se kanë peshë. Nuk duhen, bashkia nxori një vendim me sa mbaj mend për ti prishur dhe nuk i prishi."

"Nuk kanë vetëm rrezikun e peshës mbi rikonstruksionin, rreziku është i shkëputjes nga tërmeti, janë të pafiksuara".

Çdo kënd mbi tarracat e pallateve tregon depozitat e ujit, thuajse në çdo lagje të Tiranës.

Sipas inxhinierëve, soletat janë të bërë për të mbajtur 75 kg për metër katror, ndërkohë që një depozitë uji varion nga  500 litra në 1000 litra.

Në çdo lëkundje sizmike pesha e depozitava rrezikon të çajë soletën e duke rrezikuar jetën e banorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat