Bushati: Shpresoj të gjendet gjuha e përbashkët për “antishpifjen” - Bota Sot
Bushati: Shpresoj të gjendet gjuha e përbashkët për “antishpifjen”

Shqipëria

Bushati: Shpresoj të gjendet gjuha e përbashkët për “antishpifjen”

Më: 11 dhjetor 2019 Në ora: 23:09
Ilustrim

Mazhoranca mbetet e vendosur për të miratuar në Kuvend ligjin antishpifje. Lidhur me këtë çështje ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në një intervistë për VOA tha se
shpreson që të gjendet gjuha e përbashkët në mënyrë që të refklektohen të gjitha rekomandimet e OSBE-së.

Zëri i Amerikës: Le të flasim pak për ligjin antishpifje. Ka debate të shumta këto ditë në Shqipëri. OSBE-ja ka kritikuar disa herë këtë projektligj, por paralelisht kemi një intensifikim të sulmeve të kryeministrit Edi Rama kundër medias sidomos tani pas tërmetit. Mirëpo respektimi i lirisë së shtypit dhe medias është një nga prioritetet e OSBE-së të cilën Shqipëria do ta kryesojë vitin e ardhshëm. Pse gjithë kjo këmbëngulje nga ana e shumicës, nga ana e qeverisë për ta miratuar ligjin antishpifje?

Ditmir Bushati: Liria e medias është një prioritet për çdo shoqëri demokratike dhe në rastin në fjalë Shqipëria nuk bën përjashtim. Natyrisht që mund të ketë çështje të cilat kanë nevojë për t’u trajtuar për sa i përket kuadrit ligjor dhe regullator edhe në fushën e medias, por vendi ynë mazhoranca jonë ka një traditë bashkëpunimi të mirë me zyrën e OSBE-së që ka një ekspertizë të specializuar për këto çështje. Prandaj dua të shpreh besimin që do të gjendet gjuha e përbashkët në mënyrë që të reflektohen plotësisht të gjitha rekomandimet e zyrës së OSBE-së në Vjenë dhe gjithashtu të merren në konsideratë përmes një procesi sa më përfshirës edhe shqetësimet e komunitetit të medias.

Zëri i Amerikës: Por duket se qeveria është e vendosur për të shtyrë përpara këtë projekligj megjithë kritikat që i janë bërë...

Ditmir Bushati: Kam përshtypjen që ne jemi në fazën e një diskutimi në Kuvend. Por nga ana tjetër siç ka ndodhur edhe në të shkuarën gjithnjë në finale ka mbizotëruar le të themi një sens me racional duke marrë parasysh rekomandimet që vijnë në këtë drejtim nga ana e OSBE-së nga ana e BE-së, por edhe faktin që siç ju me të drejtë e shtruat në pyetjen tuaj, se duke nisur nga 2020 Shqipëria do të jetë kryesuese e OSBE-së dhe në këtë organizatë liria e medias është një prej shtyllave kryesore të punës së saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat