“Dvoran, ruaj qetësinë dhe mblidh mendjen!” Pas kreut të KED-së reagon sërish Tedi Blushi - Bota Sot
“Dvoran, ruaj qetësinë dhe mblidh mendjen!” Pas kreut të KED-së reagon sërish Tedi Blushi

Shqipëria

“Dvoran, ruaj qetësinë dhe mblidh mendjen!” Pas kreut të KED-së reagon sërish Tedi Blushi

Më: 12 dhjetor 2019 Në ora: 17:58
Tedi Blushi

Fill pas deklaratës për mediat në faqen zyrtare të KED-së, ku kreu i saj, Ardian Dvorani iu përgjigj komentit të presidencës sa i takon bllokimit ose jo të KED-së në rast se Dvorani merret si i pandehur; ka reaguar sërish zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi.

“Dvoran, ruaj qetësinë dhe mblidh mendjen!
Të lutem mos dëmto provat se do rëndosh më shumë pozitën tënde!
Më thonë gazetarët se paske publikuar dhe një video? Shumë mirë!
Vetëm ruaj qetësinë me videot, se publikimi i tyre nuk ka filluar akoma!
Ne e dimë që ty të kanë ngatërruar në anglisht, por do të sqarojmë edhe në shqip!
Ndaj bën mirë t’i publikosh vetë i pari të gjitha provat dhe videot!
Megjithatë, ne me shumë qetësi po presim hetimin!
Reforma në Drejtësi do ecë përpara dhe askush nuk mund ta ndalë dot!” shkruan Blushi në Facebook.

Sa i takon Dvoranit, ndër të tjera ai tha se “gjatë gjithë kësaj kohe kam zgjedhur të jem i përmbajtur në komunikimin publik dhe të mos përfshihen në lojërat mediatike, të cilat jo pak funksionarë publikë i kanë shumë përzemër, më shumë se sa kujdesin për të përmbushur detyrat që u ngarkon Kushtetuta e ligji, si edhe pritshmërinë e publikut”.

Ju kujtojmë se sot presidenca reagoi në lidhje me interesin e gazetarëve se nëse kreu i KED-së, Ardian Dvorani do të merrej i pandehur nga Prokuroria, atëherë kjo do të sillte bllokimin e funksionimit të këtij institucioni.

Zëdhënësi Tedi Blushi tha se: “Kjo është një alibi e neveritshme për t’i shpëtuar drejtësisë për veprat penale që Ardian Dvorani ka konsumuar dhe për të cilat është kallëzuar penalisht në Prokurori”.

Ai shtoi më tej se: “Ligji nr. 115/2016, për funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e ka zgjidhur shumë mirë këtë situatë në nenin 227 të tij, ku parashikon se “Anëtari më i vjetër në moshë nga Gjykata Kushtetuese është Zëvendëskryetari i KED-së. Zëvendëskryetari ushtron të gjitha funksionet e Kryetarit në mungesë ose pamundësi të këtij të fundit”.

Nuk është përgjegjësia penale e Ardian Dvoranit, që mund të bllokojë funksionimin normal të KED, por u bllokua qëllimisht funksionimi i KED për dy vite radhazi, që në krye të këtij organi të vihej Ardian Dvorani, për të konsumuar të tilla shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore.

Edhe mbledhja e djeshme e KED-së, e zhvilluar duke njoftuar dy Rende Dite të ndryshme, një të njoftuar publikisht dhe një të ndryshëm të njoftuar anëtarëve dhe pjesëmarrësve në Këshill, është një tjetër e dhënë e papërgjeshmërisë së këtij individi , përkundrejt zbatimit të parimit të transoarencës së ushtrimit të detyrës ashtu sic kushtetuta dhe ligji ia kërkon”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat