“O unë o avokati kemi roitur…” I riu në burg përtej afatit, prokurori sugjeron të fshihet nga drejtësia

Shqipëria

“O unë o avokati kemi roitur…” I riu në burg përtej afatit, prokurori sugjeron të fshihet nga drejtësia

Më: 13 dhjetor 2019 Në ora: 12:28
Pamje nga video

Një i ri nga Pogradeci është dënuar pa vendim nga Prokurori i Korçës, Edmond Shytka. Në 13 Prill 2019, rreth drekës, nga një kontroll rutinë, Renato Verushi ndalohet nga Policia Rrugore për test alkooli. Ai rezultoi i dehur dhe iu bllokua patenta. Rasti iu referua Prokurorit të Korçës, e në gjykatë u vendos 4 muaj burg për të riun. Ditët e burgimit duhet të mbaronin në 3 Korrik 2019.

“I jam drejtuar emisionit Stop për arsye se më kanë marrë djalin padrejtësisht me 23 ditë burg, se kishte pirë alkool. Ai e kreu dënimin, nuk e kuptoj tani përse ndodhi kjo. Dënim i mbaroi më datë 3 Korrik, që në 3 Korrik deri para një jave, më 25 Nëntor, ai ishte në shtëpi. Kishte dy javë pas Apelit, ai duhet të merrte makinën. 20 ditë ndenji në gjykatë, pas 20 ditëve, kemi 2 javë e ca që na sjellin vërdallë për makinën. Nuk e kthejnë. Nuk e di çfarë arsye nxjerrin, edhe mua kjo më ka habitur trurin. Dje kam vajtur në burgun e Drenovës në Korçë i kam çuar rrobat, pas 8 ditëve”, tregon e ëma e Renatos për Stop.

E pyetur se për çfarë arsyeje e kanë arrestuar për herë të dytë, ajo thotë: “Nuk e di përse ndodhi kjo, nuk di nga t’ia mbaj më. Nuk kam as shoqëri, aq miqësi, vetëm drejtësi dua”.

Më 26 Nëntor, prokurori Edmond Shytka nxjerr një urdhër arresti për 23 ditë. Por mesa duket, prokurori ka llogaritur gabim ditët, pasi edhe Gjykata e Shkallës së Parë, edhe ajo e Apelit e thonë qartë se Renato Verushi i ka mbaruar ditët e burgut në Korrik. Madje këtë e pranon edhe vetë prokurori Shytka.

Prokurori Edmond Shytka-Gjykata e Apelit me ëëë…..mos pranimin e ankimit paraqitur nga filani. Del e provuar, se me vendimin nr. kaq të Gjykatës së Apelit, është vendosur shuarja e masës së sigurimit. Pra A: I dënuari Renato Verushi, që ka qenë i arrestuar më 13.04.2019 dhe është liruar më 03.07.2019 në… me shuarje masë sigurimi.

Kjo çështje ka edhe pjesën satirike brenda saj. Fillimisht kjo vihet re tek mënyra sesi i bën llogaritë prokurori Shytka.

Prokurori Edmond Shytka-Është deklaruar fajtor për veprën penale 291 me pesë muaj burgim. Deklarim fajtor të po me një tjetër nen, me një muaj burgim në aplikimin e… 6 muaj burgim. Përfundimisht është dënuar me katër muaj burgim.

Denoncuesi-Katër muaj minus tre muaj e shtatë ditë gjithsej 23 ditë burgim.

Denoncuesi-Më duket, se ka bërë dy muaj e 20 ditë, në mos gaboj?

Prokurori Edmond Shytka-Tashi unë ta lexova më duket, apo jo?

Prokurori Edmond Shytka-Një muaj e gjashtëmbëdhjetë ditë dhe një muaj e katër ditë, herë 1.5, që duhej një muaj e 21 ditë. Një muaj e 21 me një muaj e 16  vete 3 muaj e shtatë ditë.

Nuk mbaron me kaq… Prokurori Shytka thotë gjithashtu se edhe mund të ketë roitur, ndaj i dënuari sipas tij duhet të fshihej e të mos i dorëzohej drejtësisë.

Prokurori Edmond Shytka-Unë bile, i thashë djalit këtu kur erdhi: ore ke 23 ditë për të bërë.

Denoncuesi-Ore, ishim bashkë.

Prokurori Edmond Shytka-Pra unë nuk ia fsheha. Ke 23 ditë për të bërë, i thashë. Unë nuk ia fsheha. Ke 23 ditë dhe tani unë nuk… se s’dua të fajësoj njeri, po njeriu duhet të ashtu, ku është më vonë bre?! Unë e mora paraprakisht të fshihej, pse s’u fsheh?

Denoncuesi-Ku, ku? Pse, pse, të fshihej? S’mund të fshihet.

Prokurori Edmond Shytka-Epo çfarë t’i themi ne atëherë hahaha

Denoncuesi-Po s’ka bërë oo gjë ayy, tashi i shkreti se gjynah i shkreti, unë e prisja në kafe.

Prokurori Edmond Shytka-Po mirë unë tani, po unë…

Denoncuesi-Ke shumë të drejtë

Prokurori Edmond Shytka-O unë o avokati kemi roitur

Denoncuesi-Po!

Prokurori Edmond Shytka-Të gjejmë kush ka roitur…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat