Mbytën me peshqir dhe hodhën në rezervuar 50-vjeçaren, lihen në burg tre të rinjtë

Shqipëria

Mbytën me peshqir dhe hodhën në rezervuar 50-vjeçaren, lihen në burg tre të rinjtë

Më: 11 janar 2020 Në ora: 10:56
Ilustrim

Gjykata e Fierit ka lënë në burg tre personat e arrestuar, të dyshuar si autorët e krimit makabër në Mallakastër, ku u lidh me litar, u mbyt me peshqir dhe u hodh në rezervuar 50-vjeçarja Drita Saliaj.

Tre të rinjtë u panë në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune të hynë në ambjentet e Gjykatës së Fierit nën masa të shumta sigurie.

Para gjykatës së Fierit ku u njohën me masën e sigurisë "arrest me burg" dolën, Luis Saliaj, 16 vjeç, banues në Gjerbës dhe e dy shokëve të tij Sindi Shehaj, 16 vjeç, banues në Çërrillë dhe Ervis Zotaj, 26 vjeç, banues në Gjerbës, Mallakastër.

Ngjarja që tronditi Mallakastrën ndodhi më 5 janar, ndërsa trupi i lidhur i gruas u zbulua në rezervuar dy ditë më pas. 50-vjeçarja Drita Saliaj, u gjet e vdekur gjatë së martës në rezervuarin e fshatit Gjerbës në Mallakastër.

Viktima u sulmua në banesën e saj mbrëmjen e 5 janarit, nga nipi i burrit dhe dy shokët e tij, të cilët kishin shkuar për të grabitur, ndërsa ndodhej vetëm në banesë, pasi burrin e kishte në emigrim.

Teksa nuk e dinin se ndodhej në banesë, ata janë përballur me të zonjën e shtëpisë, të cilën e kanë dhunuar, e kanë lidhur me shall dhe e kanë hedhur në rezervuarin e fshatit.

Policia e Fierit tha zyrtarisht se në orët e para të mëngjesit të së martës, në Komisariatin e Policisë Mallakastër janë paraqitur familjarët e Drita Saliaj, 50 vjeçe, të cilët denoncuan largimin e saj nga banesa.

Pas marrjes së denoncimit, efektivët e policisë organizuan punën dhe në kohë rekord zbardhën ngjarjen.

Pas hetimeve të kryera rezultoi se djali i vëllait të burrit të viktimës, në bashkëpunim me dy shokë të tij, në datën 5 janar kanë shkuar për të vjedhur në banesën e 50-vjeçares dhe pas rezistencës të hasur nga kjo e fundit, e kanë hedhur në rezervuarin e fshatit Gjerbës.

Në vijim të punës për zbardhjen e plotë të ngjarjes, nga shërbimet e policisë Mallakastër dhe Polumbarët e Repartit Special Renea u gjet në rezervuar trupi i pajetë i saj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat