Ambasada amerikane dhe Bashkimi Evropian përshëndesin konsensusin për reformën zgjedhore

Shqipëria

Ambasada amerikane dhe Bashkimi Evropian përshëndesin konsensusin për reformën zgjedhore

Më: 14 janar 2020 Në ora: 16:17
Foto ilustrim

Pasi mazhoranca dhe opozita u ulën në tryezë për realizimin e reformës zgjedhore, pati edhe reagime nga faktori ndërkombëtar.

Ambasada amerikane në Tiranë shkruan se shpresojnë që kjo reformë të sjellë zgjedhje në Shqipëri të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni.

“Ne përshëndesim palët që ranë dakord të punojnë së bashku për reformën zgjedhore, një hap i rëndësishëm për të trajtuar plotësisht rekomandimet e ODIHR-it.

Reforma do të mbështesë procese zgjedhore të efektshme dhe të besueshme dhe do të forcojë demokracinë shqiptare.

Ne shpresojmë që palët të vijojnë të ecin përpara me këtë frymë aktuale bashkëpunimi, për t’u siguruar që zgjedhjet në Shqipëri të jenë të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni”, thekson ambasada.

Edhe ambasadori i BE-së në Tiuranë, Luigi Soreca, ka përshëndetur marrëveshjen e sotme ndërpartiake për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR.

Soreca thotë se kjo është një arritje e rëndësishme për rikthimin e stabilitetit politik në Shqipëri si dhe në kontekstin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

“Ne besojmë se të gjitha partitë do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të përfunduar një reformë zgjedhore në kohë që do të miratohet nga Parlamenti, për të mirën e qytetarëve shqiptarë dhe të ardhmen e tyre evropiane” përfundon Soreca.

Me ironi reagoi edhe ish- kryeparlamentarja Jozefina Topalli.

“Ja kështu. Pasi pushtoi “çështjen gjykata”, rikthehen përsëri në krahët e njëri-tjetrit”, shkruan Topalli teksa publikon edhe foto nga takimi.

Reagim pati edhe nga ish- demokrati Astrit Patozi.

Ai ironizon qëndrimet e opozitës për largimin e Ramës si kryeministër dhe ngritjen e një qeverie teknike.

“PËRSHËNDES DORËHEQJEN E EDI RAMES

Më në fund një lajm i shumëpritur për qytetarët shqiptarë. Përshëndes dorëheqjen e parevokueshme të Edi Ramës, kryeministrit të qeverisë së krimit dhe të drogës, që i hapi rrugë dialogut kontruktiv mes maxhorancës me opozitën parlamentare dhe atë jashtëparlamentare për të mirën e Shqipërisë. Që prej sot gjithçka është e mundur…”, thekson Patozi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat