Monika Kryemadhi: Jam krah Haradinajt dhe përballë anti-shqiptarit Edi Rama

Shqipëria

Monika Kryemadhi: Jam krah Haradinajt dhe përballë anti-shqiptarit Edi Rama

Më: 18 janar 2020 Në ora: 16:29
Monika Kryemadhi

Gjatë një takimi në Korçë me simpatizantë të LSI, kryetarja e kësaj force politike Monika Kryemadhi, shpërndau karta anëtarësimi për të rinjtë.

Gjatë fjalës së saj ajo sulmoi Edi Ramën për keqqeverisjen e këtyre viteve dhe padinë e tij ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Edi Rama ka zgjedhur t’i tradhtojë interesat e shqiptarëve. Edi Rama ka zgjedhur të tradhtojë Shqipërinë por të tradhtojë edhe Kosovën. Pasi dështoi në tentativën e tij të zezë për copëtimin e Kosovës, për llogari të ëndrrës së Serbisë së Madhe, ai po bën çmos të hakmerret ndaj atij që iu bë barrikadë e pakalueshme, fortesë e pa marrshme, digë e pa depërtueshme e ujërave që do përmbytnin ardhmërinë e shtetit të Kosovës, ndaj Komandantit të UÇK dhe Kryeministrit të Kosovës, heroit të gjallë të Kombit shqiptar, zotit Ramush Haradinaj.

Padia e tij groteske, armiqësore nuk ka për qëllim vetëm Ramushin si individ, por përçarjen e Unitetit Kombëtar. Me këtë padi të zezë Edi Rama do të njollosë, jo Ramushin, por luftën për çlirimin e Kosovës, gjakun e të rënëve dhe viktimave të pastrimit etnik serb.

Unë jam e bindur që Ramush Hajradinaj përballë këtij sharlatani antikombëtar nuk ka nevojë për mbrojtjen tonë, se është lufta dhe shërbimet e tij ndaj shtetit të Kosovës, lirisë së saj, gjaku i derdhur për kombin shqiptar, që bëjnë diferencën e madhe, të pakrahasueshme midis të dyve. Por si shqiptare, si politikane e ndjej për detyrë të jem krah Ramushit dhe përballë anti shqiptarit Edi Rama”, raporton lapsi.

Përsa i përket situatës aktuale sociale dhe ekonomike në vendin tonë ajo tha se gjendja është alarmante. “Shqipëria po shpopullohet, rinia po ikën. Qytetarët po varfërohen çdo ditë e më shumë. Ne kemi një rrugë, hapjen e dyerve të LSI për të rinjtë. Ne duhet të sigurohemi që fëmijët tanë të ndërtojnë të ardhmen në këtë vend dhe të mos emigrojnë.” tha Kryemadhi.

Ajo ftoi intelektualët, pedagogët, mjekët që të ndryshojnë sistemin arsimor dhe shëndetësor, ekonomistët që të ndryshojnë ekonominë, për të ulur taksat, për të fuqizuar biznesin e vogël dhe të mesëm që është shtylla kurrizore për ekonominë e këtij vendi.

“Oligarkët janë përfituesit më të mëdhenj të koncesioneve dhe të parave publike, ndërsa shqiptarët mezi mbyllin muajin. Nëse doni që kjo situatë të marrë fund, atëherë ejani bashkohuni me LSI, sepse vetëm shqiptarët mund ta bëjnë Shqipërinë” shtoi ajo.

“Misioni i LSI është që ky vend bëhet. Ne jemi një vend i vogël dhe i varfër por për shkak të politikës dhe keqqeverisjes. Nëse duam ne mund ta bëjmë këtë vend shumë të zhvilluar dhe të begatë dhe këtë mund ta bëjmë të gjithë bashkë, me të rinjtë e të rejat. Shqipëria ka nevojë për fuqinë e qytetarëve”, deklaroi Kryemadhi.

Në përfundim të fjalës së saj ajo tha se viti 2020 është viti i shpresës dhe i fitores për shqiptarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat