“Ndryshoni Antishpifjen”, KE i kërkon qeverisë të fusë në ligj të gjitha rekomandimet

Shqipëria

“Ndryshoni Antishpifjen”, KE i kërkon qeverisë të fusë në ligj të gjitha rekomandimet

Më: 21 janar 2020 Në ora: 17:41
Foto ilustrim

Komisioni Europian ka kërkuar që parlamenti të ndryshojë paketën “Antishpifje”. Zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero theksoi sot se mazhoranca duhet të shfrytëzojë dekretet e Presidentit për të ndryshuar ligjin.

Komisioni Evropian i bën thirrje Parlamentit dhe qeverisë shqiptare të shfrytëzojë mundësinë e kthimit nga Presidenti të paketës “Antishpifje” në Kuvend, për të futur në ligj të gjitha rekomandimet e Këshillit të Evropës

“Ju e dini shumë mirë se BE ka mbështetur rekomandimet nga Këshilli i Evropës për rastin e ligjit për median në Shqipëri. Ne pranojmë se shqetësimet dhe rekomandimet janë ende të vlefshme dhe për ne ato duhet të ndreqen. Dhe ne e shohim si një mundësi për të reflektuar ndryshimet faktin që Presidenti i Shqipërisë ia ktheu ligjin Parlamentit. Dhe kjo është diçka për të cilën ne ende kemi shpresë se ata do ta bëjnë”, u shpreh Ana Pisonero, zëdhënëse e Komisionit Evropian, Bruksel.

Zëdhënësja e Komisionerit Evropian për zgjerimin renditi sërish pikat ku nevojiten ndryshime në ligj, që nga promovimi i vetërregullimit, deri tek transparenca e pronësisë së medies në vend.

“Ne mbështesim disa rekomandime të bëra nga Këshilli i Evropës, dhe jo vetëm promovimin e vetërregullimit. Ne mbështesim gjithashtu edhe garantimin e një rishikimi të pavarur gjyqësor të ankesave ndaj mediave dhe ne shpresojmë gjithashtu në përforcimin e transparencës së pronësisë së medias në vend. Pra, në përgjithësi të gjitha rekomandimet që janë bërë nga Këshilli i Evropës ne i mbështesim dhe ato janë gjerësisht në përputhje me çfarë ne presim që një vend aspirant për në BE të ndjekë”, tha znj. Pisonero.

Nëse Parlamenti Shqiptar do të miratojë ligjin aktual pa bërë ndryshimet e kërkuara dhe që bie ndesh me rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe qëndrimin e Komisionit Evropian, kjo do të sjellë pasoja për rrugën evropiane të vendit pasi liria e medias është një prej prioriteteve kyçe që duhet respektuar në procesin të integrimit.

Mazhoranca nga ana e saj është e vendosur për të mos ndryshuar ligjet dhe për të rrëzuar dekretet e Presidentit. Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së. Taulant Balla në një dalje të mëparshme për mediat ka deklaruar se dekretet do të rrëzohen në seancën plenare më të afërt që është ajo e 30 janarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat