Anëtarët e bandës së Aldo Bare, zbulohen për herë të parë imazhet e tyre

Shqipëria

Anëtarët e bandës së Aldo Bare, zbulohen për herë të parë imazhet e tyre

Më: 21 janar 2020 Në ora: 22:02
Foto ilustrim

Banda e Lushnjes, është ndër të parat që kishte një organizim të mirëstrukturuar në formë piramide. Aldo Bare ishte udhëheqësi me autoritet absolut. Fjala e tij nuk diskutohej por thjesht zbatohej. Ai thirrej “Kryetari”, “I madhi”, “Plaku” dhe “Profesori”. Pranë tij, si njerëz që shpërndanin dhe zbatonin detyrat e “profesorit” ishin Enver Dondollaku, Erjon Cici, Arben Boriçi, Ilir Stërgu, Edjan Xhafa, Maksim Çela dhe Leonard Prifti që ishte vrasësi me i besuar i Bares.

Referuar dosjes hetimore, anëtarë të tjerë pjesë e bërthamës kryesore që operonte në Lushnje ishin edhe Afrim Hoxha, Enver Boriçi, Dritan Vila, Petrit Liçi, Erion Kashari, Elton Mermali, Arjan Aliço, Alxhi Nallbani etj.

“Aldo Bare e njihte mirë se vinte nga radhët e forcave special, njihte komunikimin, organizimin, nga vitet ‘90 e këtej mund jetë ndër grupet më të organizuar në Shqipëri, me detyra të ndara dhe një drejtues që nuk e gjen asnjëherë të bëj diçka me dorën e vetë”, rrëfen gazetari Hoxha

Grupi në total numëronte mbi 100 anëtarë. Top Story zbulon për herë të parë ekskluzivisht imazhet dhe emrat e pjesëtarëve të rrjetit të identifikuar nga autoritetet italiane. Aktivitetet e grupit ishin trafiku i drogës dhe i qenieve njerëzore që përbënin burimin kryesor të perandorisë ekonomike të bandës.

Ky fuqizim i shpejtë i rivalëve kishte rritur shqetësimin te Artur Daja, që ishte shndërruar thuajse në hije.

“Ishte shumë e vështirë për shkak të njohjeve, ashpërsisë që ushtronte, ishte e vështirë ti afroheshe Artur Dajës, i gjithë rrjeti i njerëzve që janë goditur mbrapa që ishin pjesë e njohjeve shoqërore të Tur Dajës janë goditur për rrethana si e si ti priteshin krahët”, tregon gazetari Hoxha.
Në 3 Gusht të vitit 1997, ekzekutohet në vendin e quajtur kthesa e Blerimit në periferi të Lushnjes shqiptaro maqedonasi Xhevat Demiri, i njohur me nofkën “Kosovari”. Ai konsiderohej njeri i afërt i Artur Dajës.

Atë ditë, Demiri së bashku me gruan Mimozën dhe dy fëmijët po ktheheshin nga plazhi drejt qytetit. Sipas dëshmitarëve, Aldo Bare, Ilir Stërgu, Enver Dondollaku i njohur me nofkën “Goni” dhe Afrim Hoxha, i bëjnë shenjë të ndalë furgonin. Demiri zbret dhe pasi shkëmbejnë disa fjalë e ekzekutojnë me kallashnikovë. Ngjarja e tmerrshme u pa edhe nga fëmijët. Djali 3-vjeçar pësoi krizë të rëndë dhe prej asaj dite ka vuajtur pasojat e epilepsisë. Arben Boriçi është personi që largoi autorët me makinë nga vendi i krimit.

Objektivi i radhës i Aldo Bares ishte Gramoz Selmani, krahu i djathtë i Artur Dajës. Për lokalizimin e tij, banda kishte marrë peng persona të afërm të tij në të ashtuquajturin Komisariati nr. 2.

Në 13 Shkurt të vitit 1998, Selmani udhëtonte me një fuoristradë me Masar Aliun dhe Nimet Zenelin. Në vendin e quajtur Kolonjë, ata bien në pritë. Aldo Bare, Arben Boriçi, Ilir Stërgu dhe Enver Dondollaku kanë hapur zjarr njëkohësisht me breshëri. Shoferi Masar Aliu nxjerr mjetin nga rruga dhe bashkë me Nimet Zenelin vrapojnë drejt Kolonjës.

Ndërkohë Selmani fshihet poshtë mjetit për pak çaste e më pas largohet. Zeneli i plagosur nuk arrin të ecë shumë. Ai rrëzohet në një kanal dhe aty i japin fund. “Donin të me vrisnin se isha shok i ngushtë i Artur Dajës, pastaj me dogjën shtëpinë, me vranë njërin vëlla e tjetrin ma torturuan”, ka dëshmuar Selmani.

Pas atentatit, ai merr familjen dhe largohet në drejtim të paditur. Top Story ka mësuar nga burime konfidenciale se ai ka jetuar në Greqi me një tjetër identitet dhe shpesh herë është futur në Shqipëri.

Vetëm 9 ditë me vonë, Masar Aliut i bëjnë një tjetër atentat, në të njëjtin vend ku u vra Nimet Zeneli. Në aksin Kolonjë-Bitaj, Dondollakku, Stërgu dhe Arben Boriçi pikasin mjetin e Aliut. I dalin para dhe qëllojnë ndaj tij duke e lënë të vdekur në vend. I vdekur mbetet edhe një shtetas i quajtur Idajet Beqiri që ndodhej në mjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat