Meta takon kryeparlamentarin izraelit: Mirënjohje për ndihmën ndaj tërmetit! Shumë për të mësuar prej jush

Shqipëria

Meta takon kryeparlamentarin izraelit: Mirënjohje për ndihmën ndaj tërmetit! Shumë për të mësuar prej jush

Më: 23 janar 2020 Në ora: 11:39
Ilir Meta dhe Yuli Edelstein

Presidenti Ilir Meta u prit sot me në një takim nga kryeparlamentari Izraelit, Yuli Edelstein, gjatë vizitës së tij zyrtare.

Kreu i shtetit shprehu kënaqësinë që viziton Izraelin me rastin e Forumit të Pestë Botëror të Holokaustit.

“Mesazhi im është i qartë teksa bota përkujton 75-vjetorin e çlirimit të Aushvicit – Antisemitizmi nuk ka vend në shoqëritë tona! Ndihem krenar që jam kreu i një shteti ku antisemitizmi jo vetëm nuk ka ekzistuar kurrë, por edhe i një vendi që shpëtoi mijëra jetë hebrenjsh gjatë periudhës më të errët historike të tyre në shekullin e 20-të”, u shpreh Meta.

Presidenti vuri në dukje se Shqipëria dhe shteti i Izraelit gëzojnë marrëdhënie dhe bashkëpunim të shkëlqyer dhe se të dy vendet e popujt tanë ndajnë të njëjtat vlera të paqes, lirisë dhe demokracisë, tolerancës dhe bashkëjetesës.

“Ne jemi edhe më të bashkuar në përpjekjen tonë për t’i mbrojtur këto vlera nga kërcënimet e përbashkëta si terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe fondamentalizmi fetar”, tha Presidenti.

Gjithashtu, kreu i shtetit inkurajoi rritjen e investimeve izraelite në vendin tonë.

“Shqipëria ka shumë për të mësuar nga Izraeli rreth përdorimit të teknologjisë, dhe mjeteve të reja digjitale për të nxitur zhvillimin ekonomik. Në të njëjtën kohë, edhe ne kemi shumë për t’iu ofruar investitorëve dhe turistëve izraelitë që duan të vizitojnë vijën tonë të mrekullueshme të bregdetit, malet tona të larta dhe vendet tona historike”, tha Presidenti Meta.

Meta falenderoi kryeparlamentarin izraelit për mesazhet e solidaritetit pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri, si dhe shprehu mirënjohjen për operacionet e kërkim-shpëtimit që Njësia Kombëtare e Shpëtimit e Izraelit ndërmori në vendin tonë.

“Ju jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen mbresëlënëse të Izraelit në ato momente të vështira, që i konsolidoi më shumë marrëdhëniet historike miqësore mes dy vendeve dhe popujve tanë”, vuri në dukje Presidenti. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat