Presidenti i KE-së Charles Michel viziton nesër Shqipërinë

Shqipëria

Presidenti i KE-së Charles Michel viziton nesër Shqipërinë

Më: 23 janar 2020 Në ora: 14:22
Charles Michel

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, do të vizitojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 24 janar.

Kjo konfirmohet nga agjenda zyrtare e publikuar nga Këshilli Evropian.

Presidenti i Këshillit Evropian viziton Shqipërinë një javë pas Komisionarit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili zhvilloi takime me krerët më të lartë të politikës në vend, si dhe vizitoi zonat e prekura nga tërmeti.

Konferenca e Donatorëve që do të mbahet më 17 shkurt në Bruksel, do të japë mbështetje për Shqipërinë pas tërmetit të 26 nëntorit.

Vetëm pak ditë më parë, komisionari i BE për Zgjerimin rikonfirmoi faktin se BE dhe ai vetë e kanë prioritet Ballkanin Perëndimor, ndaj u realizua dhe kjo vizitë e tij e parë në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri.

Ndërsa Komisioni Evropian ka konfirmuar për ATSH, se i qëndron besnik rekomandimeve për hapjen e negociatave për Shqipërinë, duke shprehur besimin për një vendim pozitiv nga Këshilli përpara Samitit të Zagrebit në maj.

Një zëdhënëse e Komisionit Evropian bëri të ditur për ATSH detaje edhe nga metodologjia e re e zgjerimit, ndërsa deklaroi se, “Komisioni Evropian do të paraqesë në javët në vazhdim propozimet për ta bërë procesin e pranimit më efikas, më të besueshëm dhe më dinamik”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat