Virusi kinez nuk paraqet rrezik nga ajri, kërkohet shtimi i kontrolleve në tokë - Bota Sot
Virusi kinez nuk paraqet rrezik nga ajri, kërkohet shtimi i kontrolleve në tokë

Shqipëria

Virusi kinez nuk paraqet rrezik nga ajri, kërkohet shtimi i kontrolleve në tokë

Më: 25 janar 2020 Në ora: 16:53
Foto ilustrim

Shqipëria vizitohet nga kinezët, kryesisht gjatë fillimit të pranverës, ndërsa në vendin tonë kontrollet duhet të vendosen edhe në pikat kufitare tokësore duke mos u mjaftuar vetëm me mjekët në aeroport. Ekspertët e turizmit thonë se kjo situatë e pezullimit të udhëtimeve do të ketë ndikim në ekonominë e shumë vendeve, përfshirë edhe Shqipërinë, ndonëse vendi ynë preket në një masë më të vogël.

Kompanitë më të mëdha të udhëtimit në botë kanë pezulluar udhëtimet me vendet e prekura nga koronavirusi kinez që ka shkaktuar dhjetëra të vdekur, megjithatë Shqipëria preket indirekt nga kjo situatë.

Eksperti i turizmit, Feriold Ozuni, shprehet se Shqipëria vizitohet nga kinezët kryesisht në fillim të pranverës, dhe më së shumti ata vijnë tranzit në vendin tonë, ndaj kontrollet duhet të përqendrohen edhe në pikat hyrëse tokësore.

"Kinezët në Shqipëri nuk vijnë në Shqipëri duke u ulur në aeroportin e Rinasit. Ata vijnë duke u ulur në aeroporte të tjera dhe e tranzitojnë Shqipërinë duke qëndruar disa ditë. Nuk është problem vetëm aeroporti i Rinasit, por edhe pikat hyrëse tokësore dhe detare"

Sa i përket shqiptarëve të cilët udhëtojnë drejt Kinës janë kryesisht ata të cilët lëvizin për marrëdhënie pune apo delegacione diplomatike.

Në Shqipëri nuk ka pasur pezullime të udhëtimeve drejt vendit të origjinës së virusit, por kjo situatë pritet të ketë ndikim ekonomik në Evropë. por edhe në Shqipëri.

"Në Shqipëri ne akoma nuk e kemi ndjerë sepse grupet turistike kineze fillojnë në Shqipëri rreth marsit, por presim të shohim se çfarë reagimesh do të kemi."

Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se Shqipëria ka një risk të ulët të përhapjes së virusit misterioz kinez, por megjithatë janë shtuar masat për kontrolle të pasagjerëve në Rinas.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat