Ambasadorja amerikane zbarkon në Prokurori, takime me Çelën dhe Ibrahimin

Shqipëria

Ambasadorja amerikane zbarkon në Prokurori, takime me Çelën dhe Ibrahimin

Më: 29 janar 2020 Në ora: 12:09
Yuri Kim

Pas takimeve me politikanë shqiptarë, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, ka ndaluar sot në Prokurorinë e Përgjithshme ku po zhvillon një takim me kryeprokurorin Olsian Çela dhe kreun e KLP-së Gent Ibrahimi.

Në fokus të diskutimeve mes tyre mendohet të jetë reforma në drejtësi, një investim ky i qeverisë amerikane, si dhe ecuria e organeve të reja të drejtësisë.

Zyrtarja e lartë amerikane mëngjesin e së martës zhvilloi një vizitë prej 30 minutash në zyrën e Ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj.

Kryediplomati në një postim në facebook, shprehet se gjatë takimit me Ambasadoren Kim u diskutuan sfidat e vendit tonë që lidhen me angazhimin e Shqipërisë për çeljen e negociatave me BE-në, kryesimin e OSBE-së dhe marrjen e statusit të përkohshëm në Këshillin e Sigurimit në vitin 2022.

"SHBA-ja është partner i pazëvendësueshëm politik e strategjik për Shqipërinë!”- përfundoi Cakaj postimin e tij.

Pas Cakajt, Yuri Kim u zhvendos në zyrën e Ministres së Mbrojtjes. Për Olta Xhaçkën ky nuk ishte takimi i parë me Ambasadoren, pasi një vit më parë janë njohur në Pentagon ku ambasadorja Kim ishte pjesë e stafit të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat