Sa kushtuan ‘pajisjet e reja’ në kuvendin shqiptar

Shqipëria

Sa kushtuan ‘pajisjet e reja’ në kuvendin shqiptar

Më: 19 shkurt 2020 Në ora: 22:27

Kodi i etikës për t’i bërë të qartë mënyrën sesi duhet të vishen e sillen në sallë, statusi i deputetit, Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit ndodhen të gjitha këtë kompjuter të vogël në tavolinë e ligjvënësve shqiptarë.

E gjitha është pjesë e teknologjisë së re që Kuvendi ka blerë për t’ua bërë jetën më të lehtë deputetëve. Të kenë para syve dhe përmbajtjen e ligjeve që duhet të votojnë, apo dhe radhën e diskutimeve, për të mos pasur momente të vështira në foltore.

Sipas kontratës që disponon A2, teknologjia gjermane e sistemit të ri elektronik të votimit, që po aplikohet që prej fundit të janarit, ka kushtuar 60 milionë e 441 mijë lekë.

Hera e fundit që ishte investuar në këtë sistem ishte në vitin 2007. Krahas lehtësisë për veprimin e deputetëve, Kuvendi e argumenton këtë zgjedhje dhe me ambientalizmin. Sipas një përllogaritje të institucionit, vetëm nga shmangia e printimit të projektligjeve apo dokumenteve të tjera të seancës  do të kursehen në muaj 720 mijë lekë, ose 8 milionë e 640 mijë lekë në vit. E njëjta kompani do të ofrojë në një moment të dytë dhe shërbimin “live stream” të seancës në faqen e Kuvendit.

Të tjera shpenzime që Kuvendi po planifikon të kryejë gjatë këtij viti janë dyert e blinduara për sallën e seancave dhe kryesinë e Kuvendit, me një vlerë prej 50 milionë lekësh. Tërmeti i nëntorit të kaluar, pezulloi pa afat planet për të pasur një godinë të re të Kuvendit të Shqipërisë që sipas parashikimeve do të kushtonte mbi 11 miliardë lekë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat