Kapja e 1.3 ton kokainë/ Policia e Shtetit jep detaje

Shqipëria

Kapja e 1.3 ton kokainë/ Policia e Shtetit jep detaje

Më: 20 shkurt 2020 Në ora: 15:31
Foto ilustrim

Policia e Shtetit ka dhënë detaje sot lidhur me sasinë e kokainës e kapur dje prej 1.3 tonësh.

“Në operacionin, që synonte dorëzimin e kontrolluar të një sasie të madhe kokaine, morën pjesë edhe strukturat e Policisë Shqiptare, të cilat mundësuan kalimin e dërgesës nga Mali i Zi nëpërmjet territorit shqiptar drejt Maqedonisë së Veriut, në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti.

Ky operacion përbën një tjetër angazhim serioz të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe një dëshmi tjetër të besimit të partnerëve të saj në këtë luftë”, njofton policia.

Top Channel raporti më herët se aksioni anti-kokainë në fshatin Kushapek të Komunës së Sarajit është pjesë e aksionit për luftë kundër krimit të organizuar në të cilën ishin pjesëmarrës edhe forcat policore italiane, shqiptare po edhe DEA amerikane.

Lëndët narkotike ishin nisur nga Kolumbia dhe e gjithë dërgesa peshonte 1.3 tonë, por policia italiane kishte zbuluar të gjithë skemën e grupit të trafikantëve si dhe kanalin nga do të kalonte lënda narkotike.

Ndërkohë mësohet se vetëm 1 kg kokainë që kishte edhe një GPS gjurmues, ishte lënë në kamionin në fjalë pasi pjesa tjetër ishte shkarkuar. Ndërsa kamioni me banane ishte lënë që të kalonte për të shkuar në destinacionin finale.

Nga ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni kanë konfirmuar se janë arrestuar tre persona të dyshuar. Informacionet e para thonë se dërgesa e kokainës është nisur nga Kolumbia për në Bar, (Mali i Zi) e më pastaj duhej të dërgohej në Koper (Slloveni). Për momentin nuk janë zbuluar ende arsyet se pse ka ndryshuar linja dhe se si kokaina ka përfunduar në Maqedoni, respektivisht në Saraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat