“Në 2 mars në Bulevard”, Patozi: Përplasja finale për jetë a vdekje, mos ndërrojnë mendje rrugës

Shqipëria

“Në 2 mars në Bulevard”, Patozi: Përplasja finale për jetë a vdekje, mos ndërrojnë mendje rrugës

Më: 20 shkurt 2020 Në ora: 16:58
Astrit Patozi

Kreu i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ka reaguar pas thirrjes së prsidentit Ilir Meta që  qytetarët t’i bashkohen në datë 2 mars në një protestë. Me anë të një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Patozi nuk i kursen ironitë, ndërsa shkruan se "pushka top, më 2 mars e përtej". Mes të tjerash Patozi thekson se Shqipërisë i leverdis më shumë që ta çojnë deri në fund sherrin dhe t’i nxjerrin ujin e zi, secili në “kështjellën”e vet.

"Pushka top, më 2 mars e përtej! Shqipërisë i leverdis më shumë që ta çojnë deri në fund sherrin dhe t’i nxjerrin ujin e zi, secili në “kështjellën”e vet, që, sipas tyre, ruan dhe mbron popullin nga armiku përballë. E kanë sjellë zvarrë deri këtu me një mijë paudhësi, marifete, madje edhe krime, jo domosdoshmërisht penale, dhe nuk ka kuptim që ta lënë punën në mes.

Është e vetmja rrugë për të bindur edhe më të indoktrinuarit prej tyre se nuk i meritojmë, qoftë edhe për faktin e thjeshtë që nuk dinë as të zihen. Mënyra se si po duan t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit është një arsye më shumë për t’i refuzuar dhe më pas rrëzuar. Sigurisht, me votë", shkruan Patozi.

Më tej ai vijon duke thënë se, "Gjëmat më të mëdha këtij vendi nuk i kanë ardhur gjatë kohës së përleshjeve të shpeshta të bajlozëve për territor, por gjithmonë në stinën e dashurive të tyre me kontratë. Ndaj edhe nuk është lajm i keq që duken të vendosur në përplasjen finale për jetë a vdekje, ndonëse është shumë fyes dhe poshtërues niveli i degradimit të debatit publik edhe për qytetarin më pa pretendime në Shqipëri. Por, tek e fundit, jetojmë në një rend shoqëror, që nuk e njeh përgjegjësinë kolektive, ndaj dhe nuk kemi pse të ndjehemi keq për turpin e tyre".

Po ashtu Patozi tha se nuk ndjen asnjë keqardhje për “Rilindjen” e lodhur nga zullumet e veta të panumërta, të cilës në një farë mënyre po i kthehet mbrapsht investimi i vet kryesor i tre vjetëve më parë.

"Asnjë keqardhje për “Rilindjen” e lodhur nga zullumet e veta të panumërta, të cilës në një farë mënyre po i kthehet mbrapsht investimi i vet kryesor i tre vjetëve më parë. Sepse meraku i atëhershëm ishte thjesht sistemimi i dy njerëzve, njëri prej të cilëve shkoi në Presidencë, kurse tjetrit iu dha pazar. Natyrisht, as për të tjerët, të cilët hallet e veta të komplikuara për pushtet dhe drejtësi po duan të na i shesin si sakrificë historike në emër të kushtetutës, që po përdhunohet".

Ndaj sipas Patozit, "nuk duhet humbur asnjë çast për të vrarë mendjen se kush prej tyre ka më shumë të drejtë në këtë kacafytje të shpifur mëkatarësh, e cila shërben kryesisht për të na kujtuar edhe një herë se sa keq jemi katandisur për shkakun e tyre. Në këto kushte, i vetmi merak duhet të jetë se mos ndërrojnë mendje rrugës dhe tërhiqen me marifet, duke e lënë prapë përgjysmë revolucionin, sepse deri më 2 mars ka shumë kohë, jo vetëm për t’u penduar, por edhe për të menduar, ëndërruar dhe, pse jo, përgatitur 1 prillin tjetër".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat