Meta: Sorrat kurrë nuk do të bëhen shqiponja

Shqipëria

Meta: Sorrat kurrë nuk do të bëhen shqiponja

Më: 20 shkurt 2020 Në ora: 18:46
Ilir Meta

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka vazhduar me fushatën për pjesëmarrje sa më të madhe në tubimin që e ka thirrur për 2 mars në Tiranë, datë që lidhet edhe me Besëlidhjen e Lezhës (2 mars 1944).

Në një konferencë për media, të mbajtur të enjten, Meta publikoi ato që i quajti “fakte të paligjshmërisë dhe kapjen e institucioneve nga mazhoranca”, njoftojnë mediat në Tiranë.

Meta bëri edhe një herë thirrje për pjesëmarrje sa më masovike, ndërsa shtoi se “Shqipëria nuk do të jetë më as mavi dhe as mavri, por kuq e zi”.

“Shqipëria nuk do të bëhet më kurrë as mavi dhe as mavri, do të bëhet kuq e zi. Ndaj në 2 mars mos dëgjoni ato mashtrimet që u ka hyrë tmerri nga populli. Njerëzit kanë ikur pse nuk kanë paguar një faturë dritash, ndërsa këtu rrëmbehet duke dhunuar kushtetutën ku është përfshirë gjithë parlamenti”, shtoi Meta.

Ai ka shprehur besimin se shqiptarët do të dinë t’i dalin zot vetes.

“Ata kanë krijuar idenë që shqiptaret sikur janë dorëzuar, por nuk e dinë akoma se ky është një popull shqiponjash dhe sorrat kurrë nuk do të bëhen shqiponja. Shqiponjat do të mblidhen këtu në 2 mars për ta bërë Shqipërinë kuq e zi. Nuk i ftoj për të ardhur për presidentin, por për fëmijët e tyre”, tha Meta.

Presidenti Meta, që për shumë vjet drejtoi LSI-në, ka kohë që ka prishur marrëdhëniet me Qeverinë e drejtuar nga Edi Rama. Tash, raportin me të e ka ashpërsuar, duke paralajmëruar edhe protesta.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat