“Të bëhemi bashkë për një komb të lirë”, Basha: Shqiptarët jo ata ku i ka katandisur ky regjim

Shqipëria

“Të bëhemi bashkë për një komb të lirë”, Basha: Shqiptarët jo ata ku i ka katandisur ky regjim

Më: 20 shkurt 2020 Në ora: 19:40
Lulzim Basha

Kreu i PD-së, Lulzim Basha iu bashkua aktivitetit të Alenacës për Mbrojtjen e Teatrit, në Teatrin Kombëtar, ku po zhvillohet konkursi për monumentin e kujtesës së heronjve të demokracisë.

Në 29 vjetorin e shembjes së bustit të diktatorit Enver Hoxha, gjatë fjalës së tij, Basha shprehu mirënjohje për të gjithë ata që 29 vite më parë, “ndezën shkëndijën e shpresës dhe flakën e demokracisë”.

"Mirënjohja i takon të gjithë atyre që ndezën para 29 vitesh shkëndijën  e shpresës e bashkë me të edhe flakën e demokracisë e lirisë së ndërgjegjes së një kombi. E sot jemi mbledhur për ta kujtuar atë. Ata bënë të mundur jo vetëm shembjen e shtatores së diktatorit, pro edhe sjelljen para këmbëve të studentëve të asaj që përfaqësonte frikën, tmerrin terrorin dhe simbolin e një diktature 50 vjeçare", u shpreh Basha.

Ndërsa u ndal tek qëndresa e Aleancës për Teatrin, për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar, kryeopozitari u shpreh se ajo i tregoi botës “që shqiptarët nuk janë ata ku i ka katandisur ky regjim”.

"Me të njëjtën kurajo qytetarët e Tiranës i janë bashkuar artistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, që mbrojnë shumë më shumë se një godinë që i tregojnë botë se shqiptarët nuk janë ata ku i ka katandisur ky regjim.

Nuk janë njerëzit e frikës, nuk janë njerëzit e vesit, nuk janë njerëzit e krimit, por populli fisnik që di të mbrojë me çdo sakrificë artin dhe artistët që di t’i bëjë fre babëzisë, që di të bëhet diga e fundit e padrejtësisë atëherë kur duket se ajo ka pushtuar gjithçka, që di të mbrojë të drejtat Kushtetuese që e bëjnë Europën Europë, atëherë kur duket se Kushtetuta ka dhënë shpirt. Ky është mesazhi i qëndresës për teatrin. Këtë natë të 20 shkurti i 2020 le të betohemi se forca jonë, mendjet tona do të jenë bashkë deri në realizimin e qëllimit më fisnik që një komb mund të ketë, të sigurojë liri dhe dinjitet për fëmijët tanë, për kombin tonë”, tha Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat