Koronavirusi, Spahia: Mungon serioziteti, Ministria e Shëndetësisë fajtore për situatën

Shqipëria

Koronavirusi, Spahia: Mungon serioziteti, Ministria e Shëndetësisë fajtore për situatën

Më: 23 shkurt 2020 Në ora: 21:12
Bardh Spahia

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Bardh Spahia foli në studion e lajmeve të Ora News në lidhje me masat e marra nga Ministria e Shëndetësisë për mbrojtjen nga koronavirusi. Spahia u shpreh fillimisht se në Itali është bërë punë e mirë për zbulimin e personave të infektuar nga ky virus. Sipas tij, ky fakt ka bërë që të zbulohen kaq shumë persona me koronavirus.

Bardh Spahia: Reagimi i të gjitha vendeve ka qenë i menjëhershëm në bazë të shkallës së rrezikshmërisë. Italia po përballet me një situatë emergjence për shkak të këtij virusi problematik. Italia ka marrë një sërë masash në koordinim të plotë me strukturat shëndetësore atje, për të izoluar shfaqjen e këtij virusi. Pë fat të mirë mbetet i izoluar lokalisht në disa komuna. Aty ka një seriozitet maksimal në trajtimin e kësaj emergjence kombëtare. Mendohet se ka qenë qasja serioze ndaj këtij problemi, që ka identifikuar një numër të madh të prekurish nga koronavirusi.

Më tej, Spahia foli për masat e marra në Shqipëri. Ai tha se që në fillim të përhapjes së koronavirusit duhet të ishin marrë masa nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas tij, institucionet shqiptare kanë qenë në apati totale.

Bardh Spahia: Shqipëria që në momentin e parë të shfaqjes së këtij virusi, duhet të kishte qenë kamban alarmi për vendin tonë për të marrë disa mase. Tani që virusi është te porta, kambana për autoritetet shqiptare duhet të ishte alarmante. Kam vënë re një mos seriozitet për trajtimin e kësaj situate nga strukturat  e shtetit shqiptar. Ne i lamë disa ditë kohë institucioneve tona për përballimin e kësaj situate për t`u organizuar. Por ne kemi parë një apati totale nga institucionet përgjegjëse. Pastaj filluam denoncimin e situatës që kishte në thelb të vetin mungesën e përgjegjësisë. Faji kryesor bie mbi Ministria e Shëndetësisë për të gjitha denoncimet që kemi bërë ne dhe media.

Spahia shtoi gjithashtu se kontrollet në pikat kufitare duhet të kishin qenë më të mëdha. Ai tha se ka inspektuar nga afër punën që bëhej në pikat kufitare, ku ka konstatuar se personeli mjekësor nuk është i pajisur me mjetet e duhura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Bardh Spahia: Po ti shikoni ka pasur një papërgjegjshmëri totale në mënyrën e organizimit, pajisjen me mjetet e duhura të personelit shëndetësor. Fillojmë me hapin e parë që është kontrolli në pikat hyrëse të vendit tonë. Mjekët duhet të ishin me mjetet e duhura jo vetëm për identifikimin e pacientëve të mundshëm, por edhe për mbrojtjen e tyre. Unë i kam parë vetë, që masat ishin disa maska të thjeshta apo ndonjë dorezë. Këto nuk mjaftojnë për tu mbrojtur. Kthehet në problem madhor edhe infektimi i personelit mjekësor, që mund të bëhet përhapës i koronavirusit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat