Në Shqipëri, 8 raste të dyshuara me coronavirus, reagon zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë

Shqipëria

Në Shqipëri, 8 raste të dyshuara me coronavirus, reagon zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë

Më: 24 shkurt 2020 Në ora: 20:47
Foto Ilustrim

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka reaguar zyrtarisht për rastet e dyshuar në Shqipëri në lidhje me coronavirusin. Ministria është shprehur se nga 8 rastet që ishin të dyshuara si të infektuar asnjë prej tyre nuk ka rezultuar pozitiv.

Ndër të tjera ministria e Shëndetësisë, thekson se pas evidentimit të situatës shëndetësore me prezencë të koronavirusit në Itali po vijohet me përforcimi të masave në pikat kufitare, si dhe përforcimin e gjurmimit të rasteve për të rritur kontrollin për parandalimin e depërtimit të coronavirusit COVID-19.

Ndërkohë përfaqësuesit e Task Forcës kanë bërë apel edhe për qytetarët të jenë të vëmendshëm për të respektuar masat higjieno-sanitare.

Deklarata e Task Forca e COVID-19:

“Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka mbledhur pasditen e sotme sërish Task-Forcën e ekspertëve dhe drejtuesve të institucioneve shëndetësore për coronavirusin COVID-19, ku u raportua situata e deritanishme në vendin tonë dhe masat e marra.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, ku ndodhet laboratori i çertifikuar që kryen analizën për coronavirus COVID-19, rezulton se janë testuar deri tani 8 raste të dyshuara, të cilat kanë rezultuar negative.

Ekspertët konfirmuan në mbledhjen e Task-Forcës se deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar të koronavirusit në vendin tonë. Pas evidentimit të situatës shëndetësore me prezencë komunitare të coronavirusit në Itali po vijohet me përforcimi i masave në pikat kufitare, sigurimi i sasisë së shtuar të mjeteve të mbrojtjes personale, përforcimin e gjurmimit të rasteve për të rritur kontrollin për parandalimin e depërtimit të coronavirusit COVID-19.

U vendos që ISHP, ISHSH, strukturat e njësive vendore të shëndetit të ndjekin zbatimin e urdhrit të ministres Manastirliu për masa të shtuara higjieno-sanitare në institucionet arsimore, si një masë shumë e rëndësishme në këtë situatë. Përfaqësuesit e Task Forcës kanë bërë apel edhe për qytetarët të jenë të vëmendshëm për të respektuar masat higjieno-sanitare.

Manastirliu mbledh Task-Forcën: Shqipëria deri në këto momente s’ka asnjë rast të konfirmuar me Coronavirus. 

Task Forca raportoi se po vijohet me forcimin e masave për kontrollin dhe parandalimin e coronavirusit COVID-19 si më poshtë:

Dyfishim të personelit në Njësitë Shëndetësore në pikat kufitare, aeroport, porte dhe pika kufitare tokësore, monitorimi i pasagjerëve nga ekipi shëndetësor edhe nëpërmjet matjes së temperatures.

Përforcim i kontrolleve në pikat kufitare, për çdo udhëtar për çdo udhëtar që vjen nga harta gjeografike e vendeve me shpërthime komunitare, e përcaktuar nga OBSH.

Shtimi i informacionit dhe rritja e vizibilitetit të mesazheve në pikat kufitare, për të dhënë më shumë informacion për udhëtarët mbi vetëdeklarimin në strukturat shëndetësore, në rast të një shenje klinike apo kontaktit me raste të konfirmuar me coronavirus në këto vende.

Rritja e sasisë së mjeteve të mbrojtjes personale për të gjitha hallkat e shërbimit, nga pikat kufitare, në strukturat shëndetësore spitalore e deri në nivel të diagnozës laboratorike.

Task Forca theksoi se duhet të vijojë masa e paracaktuar për vetëkarantinim të personave që vijnë nga vende me shpërthime komunitare të virusit.

Gjithashtu siç është bërë me dije, nga komiteti teknik tashmë janë vlerësuar disa vende për karantinim, në rast se do të jetë e nevojshme.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Task Forca për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri rekomandon të gjithë qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 në rast të shfaqjes së çdo shqetësimi apo shenje klinike, pa u drejtuar menjëherë në spital.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në frymën e transparencës do të ketë komunikim të përditshëm me publikun, duke ftuar dhe qytetarët t’i referohen informacioneve zyrtare”, thuhet në deklaratën e Task Force e COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat