Seanca maratonë për "Fatin e Lojërave", burg për 55 të arrestuar, mes tyre dhe Murataj

Shqipëria

Seanca maratonë për "Fatin e Lojërave", burg për 55 të arrestuar, mes tyre dhe Murataj

Më: 25 shkurt 2020 Në ora: 08:04
Foto

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg 55 nga 87 të arrestuarit në kuadër të operacionit 'Fati i Lojërave' që dolën sot për masën e sigurisë.

Ndërkohë  27 të tjerë  janë lënë në arrest shtëpie dhe 5 në detyrim paraqitje.

Seanca maratonë nisi në orën 09:00 të mëngjesit të së hënës, përfundoi pas 14 orësh në 23:00.

Mes 55 personave që u lanë në burg është edhe Gramoz Murataj i njohur si bosi i basteve dhe Elvis Mulaj.

30 nga 115 të arrestuarit në kuadër të operacionit  "Fati i Lojërave" dolën dje para Gjykatës ku togat e zeza lanë të lirë, nën masën 'detyrim paraqitje' 9 persona, 16 janë lënë në burg, 5 të tjerë në 'arrest shtëpie' dhe 3 janë në kërkim.

Agjentët e infiltruar zbuluan skemën e basteve

Grupi i 115 të arrestuarve si bastexhinj javën e shkuar është zbuluar nga policia nëpërmjet infiltrimit të agjentëve të saj, të cilët kanë kryer rolin e lojtarëve të basteve.

Këta agjentë të autorizuar për veprimet e tyre edhe nga Prokuroria e Tiranës, duke u hequr si klientë, kanë mundur të depërtojnë brenda rrjetit që organizonte lojëra fati dhe të zbërthejnë skemën e plotë se si vepronte ky grup.

Ndërkohë që paralelisht prokuroria me vendim gjykate kishte nisur përgjimet e personave të përfshirë në këtë aktivitet.

Bazuar në një dokument të provave dhe fakteve të mbledhura nga policia e Prokuroria, bëhet e ditur se agjentët e infiltruar kishin kryer blerje të stimuluar të krediteve nga shtetasi Elvis Mulaj, i cili rezulton të jetë dhe një nga organizatorët kryesor të grupit.

Në bazë të provave gjithashtu evidentohen dhe disa prej bisedave të gjetura në telefonat celular, të cilat sipas akuzës provojnë aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Në telefonin e të arrestuarit Sotion Boneci, janë gjetur biseda ku ai i kërkon klientëve që të hapnin një llogari bankare me 5 milionë lekë dhe 5 mijë euro për ushtrimin e këtij aktiviteti.

Në një tjetër përgjim të Prokurorisë evidentohen biseda të shtetasit Renato Seitllari i cili interesohet për të mos arrestuar dy shtetas të shoqëruar më parë në komisariatin e policisë nr.2 në Tiranë të cilët janë proceduar në gjendje të lirë për lojërat e fatit.

Ky shtetas gjithashtu kërkon dhe ndihmën e një avokati, që të marrë telefonat e të arrestuarve që të mos ju sekuestrohen.

Policia i ka sekuestruar këtij shtetasi një telefon të cilin ai nuk ka pranuar ta hapë për tu këqyrur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat