Hajdari: Grushti i shtetit, teori konspirative

Shqipëria

Hajdari: Grushti i shtetit, teori konspirative

Më: 26 shkurt 2020 Në ora: 20:15
Rudina Hajdari

Për deputeten demokrate, Rudina Hajdari, tubimi i 2 marsit i thirrur nga presidenti nuk do të nxjerrë shqiptarët në shesh.

E ftuar në një studio televizive, Hajdari theksoi se si presidenti Ilir Meta që e thërret tubimin, si lideri demokrat Lulzim Basha që e mbështet apo edhe kryeministri Edi Rama që është përballë tyre, e kanë shkelur Kushtetutën në këto 29 vite, duke dëshmuar sipas saj, të njëjtën sjellje politike.

Kryetarja e grupit parlamentar të djathtë në Kuvend shtoi se kushtetuta e vendit duhet të mbrohet, por, vuri në dukje ajo, nuk janë ata personat e duhur që duhet të dalin ta mbrojnë atë.

Tubimi është thirrur nga Meta me argumentin se populli duhet të dalë në shesh me presidentin për të ndaluar atë që e quan grusht shteti. Për Hajdarin “grushti i shtetit” e quan teori konspiracioni me të cilën nuk do të merret.

“Shqiptarët nuk i besojnë më. Kush tetuta përdoret për të nxjerrë njerëzit në tubim dhe në fund nuk arrihet asgjë. Ata që thërrasin këtë protestë janë vetë ata që e kanë sjellë vendin në këtë derexhe. Kemi një kushtetutë që është cenuar, është e trishtë, por janë këta persona që e kanë sjellë situatën këtu ku jemi. Atë kushtetutë e kanë bërë leckë, kur ka ardhur koha ta mbrojnë kushtetutën kanë thënë që për hir të demokracisë duhet shkelur kushtetuta”, u shpreh Hajdari.

“Dakord jam të mbrojmë kushtetutën, por kam frikë se kjo protestë që mbështetet nga ata persona që e kanë shkelur Kushtetutën, është e vështirë të them që njerëzit do të dalin në shesh”, tha Hajdari.

Deputetja Rudina Hajdari tha se takimet me Ilir Metën i ka në respekt të institucionit të Presidencës dhe detyrës që ai ka. Ajo shtoi se disa nga pretendimet e presidentit janë të sakta, duke veçuar mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve të Gjykatës Kushtetuese./ATSH/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat