​Cakaj optimist për raportin e komisionit dhe hapjen e negociatave

Shqipëria

​Cakaj optimist për raportin e komisionit dhe hapjen e negociatave

Më: 27 shkurt 2020 Në ora: 23:23
Gent Cakaj

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj bëri me dije se në Pragë, së bashku me ministrat e Jashtëm të vendeve të Vishegradit dhe Komisionerin e Zgjerimit, Várhelyi, veç të tjerash, biseduan edhe për rëndësinë e çeljes së negociatave me Shqipërinë gjatë këtij viti.

“Paraqitja e metodologjisë së re tashmë e ka bërë procesin e negociimit për anëtarësim më të besueshëm, më të parashikueshëm dhe më dinamik”, theksoi Cakaj.

Gjithashtu, ministri i Jashtëm në detyrë Cakaj shtoi se të gjithë pjesëmarrësit ndanë pikëpamjen se kjo qasje duhet t’i shtyjë vendet anëtare për të avancuar me çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë.

Për më tepër, brenda pak ditësh pritet të dalë edhe Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë, për të treguar edhe njëherë se janë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të filluar bisedimet për anëtarësim në BE.

“Mbi këtë bazë, ne shpresojmë se vendet anëtare do të marrin një vendim pozitiv për fillimin e negociatave me Shqipërinë bazuar në të arriturat madhore të saj”, u shpreh Cakaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat