“Fryt i prokurorisë së pavarur”, kryeprokurori Olsian Çela reagon për arrestimin e Henri Çilit

Shqipëria

“Fryt i prokurorisë së pavarur”, kryeprokurori Olsian Çela reagon për arrestimin e Henri Çilit

Më: 28 shkurt 2020 Në ora: 12:01
Olsian Çela

Kryeprokurori Olsian Çela ka reaguar për arrestimin e gazetarit dhe botuesit Henri Çili duke e cilësuar si fryt të reformës në drejtësi.

"Puna e prokurorisë, frytet e prokurorisë së pavarur, zbatimi i ligjit, reforma në drejtësi, këto janë rezultatet", u shpreh Çela për ‘Ora News’.

Henri Çili u arrestua me një urdhër ndalimi në orët e para të mëngjesit nga policia së bashku me disa persona të tjerë.

Mes tyre ishin biznesmeni Sait Fishta dhe Ilir Korbi, drejtor juridik e pedagog në universitetin privat në pronësi të Çilit.

Prangat kanë ardhur me kërkesë të Prokurorisë së Përmetit pas një hetimi disa mujor.

Të ndaluarit akuzohen për korrupsion pasiv dhe aktiv në fushën e drejtësisë, ndërsa dyshimet janë se Çili ndikonte tek gjyqtarët për të nxjerrë nga burgu disa persona nga Lazarati të arrestuar për drogë.

Të ndaluarit janë dërguar tek Policia e Tiranës, ku priten veprime të mëtejshme.

Raportohet se prokuroria e Përmetit ka nisur hetime në shtator të 2019-ës për prodhim dhe shitje narkotikësh. Gjatë këtyre hetimeve, dyshohet se Henri Çili ka komunikuar me babain e Arbion Alikos, Adil Aliko, ku i premtonte se do të negocionte me një gjyqtar për lirimin e të birit.

Ndaj botuesit Henri Çili, Prokuroria ka ngritur akuzat e falsifikimit të dokumenteve, mashtrimit, si edhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm te organet e drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat