KLGJ i kërkon Presidentit emërimin e tre kandidatëve në Gjykatën e Lartë

Shqipëria

KLGJ i kërkon Presidentit emërimin e tre kandidatëve në Gjykatën e Lartë

Më: 5 mars 2020 Në ora: 17:12
Foto

Këshilli i Lartë Gjyqësor i dërgoi Presidentit Ilir Meta emrat e tre kandidatëve për Gjykatën e Lartë. Sipas letrës së KLGJ, kandidatët që vijnë nga radhët e juristëve të spikatur, janë Ervin Pupe, Ilir Panda dhe Sokol Sadushaj. Këta tre kandidatë kaluan të gjitha fazat e kualifikimit për të plotësuar tre vakanca në Gjykatën e Lartë. Emërimi i tyre në këtë Gjykatë, do ta çojë në katër numrin e anëtarëve, pasi aktualisht anëtar është vetëm Ardian Dvorani.

Njoftimi i KLGJ: Këshilli i Lartë Gjyqësor njofton opinionin publik se pas plotësimit të kuadrit ligjor, hapi procedurat e kandidimit për në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, për tre pozicione të lira, një në fushën e të drejtës administrative, një në fushën e të drejtës civile dhe një në fushën e të drejtës penale. 

Në përfundim të procedurave të kandidimit për secilin nga pozicionet e lira të shpallura, pas verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për të gjithë konkurrentët, si dhe vlerësimin sipas meritave të kandidatëve të kualifikuar, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e tre kandidatëve, konkretisht: Me Vendimin nr. 110, datë 27.2.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi: T’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, të kandidatit z. Sokol Sadushaj; 

Me Vendimin nr. 111, datë 27.2.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi: T’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, të kandidatit z. Ervin Pupe; Me Vendimin nr. 111, datë 27.2.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi: T’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, të kandidatit z. Ilir Panda. Pas bërjes përfundimtar të vendimeve të mësipërme, sot Këshilli i Lartë Gjyqësor ia përcolli ato Presidentit të Republikës, për të vlerësuar dhe vendosur emërimin e kandidatëve të propozuar.

Këshilli i Lartë Gjyqësor po vijon procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për kandidatin për pozicionin e katërt nga radhët e juristëve të spikatur, si edhe vendosi në mbledhjen e datës 26.2.2020 hapjen e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për plotësimin e pozicioneve të tjera të lira në Gjykatën e Lartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat