Basha: Kushte të pafavorshme për mësuesit. Ruçi: Legjionarë të heshtur të dijes

Shqipëria

Basha: Kushte të pafavorshme për mësuesit. Ruçi: Legjionarë të heshtur të dijes

Më: 7 mars 2020 Në ora: 12:02
Lulzim Basha

Në urimin e tij për 7 marsin, lideri demokrat Lulzim Basha kujton mësuesen e tij të parë, ku teksa thotë se ata puojnë në kushte të pafavorshme, u premton se ditë më të mira do të vijnë.

"Është kaq e natyrshme që çdo 7 mars sjell ndër mendje mësuesen e klasës së parë. Dhe po kështu të çdo mësuesi dhe pedagogu që ka qenë pjesë e jetës dhe e dijes në çdo hap që kemi hedhur si nxënës dhe studentë.

Ndaj sot dua t’ju uroj nga zemra festën të gjithë arsimtarëve në Shqipëri, të gjithë mësuesve që përtej çdo vështirësie janë përçuesit e përkushtuar dhe të pazëvendësueshëm të dijes tek fëmijët dhe të rinjtë tanë.

Për lodhjen e përditshme, kushtet shumë herë të pafavorshme të mësimdhënies dhe dinjitetit njerëzor, ata meritojnë të festojnë sot 7 marsin me urimin, shpresën dhe premtimin se ditë më të mira do të vinë për arsimtarët tanë", shkruan Basha.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, uroi sot mësueset dhe mësuesit e Shqipërisë, me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit.

“Urime e mirënjohje kolegëve të mi mësues. Unë jam krenar që kam qenë dhe jam njeri prej jush. Festa e mësuesve është festa e të gjithë shqiptarëve, nxënësve e prindërve. Mësuesit janë legjionarë të heshtur të dijes. Misioni i tyre është i pakrahasueshëm.

Dijet janë rruga e qëndrueshme drejt të ardhmes e mirëqenies. Prandaj gjithnjë e më shumë vëmendje e burime për shkollën dhe arsimin”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat