Mësimi online, Shahini: Po bëhet përmes transmetimit në RTSH dhe komunikimit në rrjete sociale

Shqipëria

Mësimi online, Shahini: Po bëhet përmes transmetimit në RTSH dhe komunikimit në rrjete sociale

Më: 21 mars 2020 Në ora: 00:48

Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini, ka treguar për të gjitha masat e ashpra që Shqipëria është duke i marrë për t’u përballë me përhapjen e Covid-19.

“Masat kanë shkuar duke u përshkallëzuar nga e hëna e javës së kaluar në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e koronavirusit të ri në Shqipëri. Jemi përpjekur që të njoftojmë publikun hap pas hapi në mënyrë që të gjithë të jenë të informuar. Jemi të befasuar realisht sa i kanë respektuar të gjithë të gjitha masat që janë ndërmarrë përkundër sa e vështirë është të respektohen, sepse ka limitime shumë të mëdha”.

“Ka limitime në oraret kur njerëzit mund të dalin dhe të blejnë gjëra në dyqane për arsye që të minimizohet sa më shumë kontakti mes njerëzve. Shkollat janë mbyllur tashmë dy javë dhe kemi vendosur që ta shtyjmë hapjen e shkollave edhe për dy javë shtesë – kemi kaluar në mësim online. Janë ndërmarrë një sërë masash ekonomike që do të fillojnë të zbatohen së shpejti në mënyrë që bizneset të cilat afektohen nga këto masa të mos kenë dëme ekonomike”.

“Po punohet në disa fronte në të njëjtën kohë duke u përpjekur gjithmonë që ta ruajmë shëndetin e qytetarëve dhe ta kursejmë sa më shumë që është e mundur gjithë sistemin shëndetësor në mënyrë që të mos vimë në një pikë ku nuk mund t’i shërbejmë qytetarëve”.

Shahini në Specialen ka treguar se si po zhvillohet mësimi online në gjithë territorin e Shqipërisë.

“Janë dy forma që po punojmë me nxënësit tanë. Janë të incizuara disa leksione për këto javët që kemi filluar të punojmë nga shtëpia. Kemi filluar me Matematikën dhe Shkencat, më pas jemi zgjeruar edhe te Gjuhë dhe Letërsia. Javën që vjen do të kemi edhe leksione në Histori, Gjeografi dhe Gjuhë të Huaja”.

“Ideja është që të kemi mundësi që të gjithë nxënësit të shohin përmes RTSH-së leksionet e këtyre javëve që po i kalojnë në shtëpi. Paralelisht mësuesit janë në kontakt me nxënësit e tyre, ndoshta jo çdo ditë, por janë në kontakt mjaftueshëm shpesh në mënyrë që t’i orientojnë ata për mësimet dhe detyrat që duhet t’i bëjnë në shtëpi. Po i kthejnë prapa të vlerësuara detyrat e shtëpisë”.

“Kemi filluar javën e kaluar me 60 për qind të nxënësve. Sot nga informata e fundit që kam, 96 për qind e gjithë nxënësve në Shqipëri kanë pasë së paku një kontakt me telefon, rrjete sociale apo e-mail me mësuesit e tyre dhe kanë marrë instruksionet për mësimet që duhet të bëhen. Për dy javët e ardhshme duhet ta intensifikojmë këtë formë të bashkëpunimit duke bërë një udhëzues për mësuesit për mënyrën se si mund t’i vlerësojnë nxënësit”.

“Kemi dy mënyra se si po punojmë me nxënësit: transmetimi në RTSH, në kanalin e Ministrisë të Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Youtube, si dhe është një platformë që po funksionin. Po punojmë paralelisht përmes platformave të ndryshme që mësuesit përdorin që janë individuale, por edhe rrjeteve sociale. Një pjesë e madhe e mësuesve kanë aftësi digjitale që të përdorin rrjetet sociale, prandaj kemi vendosur që ajo të jetë mënyra më e shpejtë e komunikimit me nxënës”.

Por, cilat janë rezultatet që Ministrja e Arsimit në Shqipëri pret në fund të këtij procesi që me shuam gjasë do të lë shumë pasoja në procesin mësimor?

“Jemi pak të shqetësuar, sepse kemi humbur orë mësimi për shkak të tërmetit që nuk kanë arritur të zëvendësohen. Po punojmë shumë që nxënësit të arrijnë të mbyllin sa më shumë nga njohuritë që duhet t’i kenë mbyllur këtë vit akademik”.

“Shqetësimi më i madh është për maturantët dhe nxënësit e klasave të nënta, sepse ata më pas kalojnë në një fazë tjetër të shkollimit të tyre. Prandaj, kemi shtuar përpjekjet tona që për ta të kemi udhëzues shtesë dhe orare shtesë të transmetimit të leksioneve specifike për ta”.

“Do të bëjmë të pamundurën që vitin shkollor ta mbyllim me sa më shumë nga përmbajtja mësimore të këtij viti akademik. Nëse është e nevojshme do të shtyhet koha kur mbyllet viti akademik, por për këtë vendim duhet të shohim se si po zhvillohet situata shëndetësore jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Tash i kemi të gjitha forcat prapa kalimit të gjithë përpjekjeve tona drejt një sistemi të qëndrueshëm online ku nxënësit marrin mësimet e nevojshme dhe nuk mbesin prapa në këtë periudhë”.

Shahini ka treguar më shumë detaje për kapacitetet e Shqipërisë për t’u përballë me këtë pandemi, derisa ka thënë se shpreson se numri i pacientëve të shëruar nga Covid -19 – që tashmë janë dy – do të rritet.

“Personat të cilët janë identifikuar me Covid-19 janë në Tiranë dhe Fier. Janë 70 raste, dy prej të cilëve janë shëruar, sepse ka kaluar një kohë mjaftueshëm e gjatë. Jemi shpresë plotë që do të kemi gjithmonë e më shumë raste të individëve që do të shërohen dhe do të lirojnë sistemin shëndetësor nga nevoja e tyre për këtë shërbim”.

“Duke u rritur numri, që po besojmë së do të rritet bazuar në trendin e vendeve që janë prekur nga koronavirusi, ne po shtojmë edhe forcat në strukturat shëndetësore që t’i vijnë në ndihmë pacientëve. Kemi bërë thirrje që studentët e Mjekësisë, por edhe persona të tjerë që studiojnë në fusha të mjekësisë, të na bashkangjiten si vullnetarë në mënyrë që t’i japim një dorë spitaleve dhe qendrave shëndetësore. Kemi pafund aplikime për vullnetarë që do të jenë në dispozicion ditëve në vijim nëse rritet numri i të prekurve. Po besoj që do t’ia dalim bashkë që të japim shërbimin më të mirë të mundshëm të gjithë pacientëve”.

Ministrja e Arsimit në Shqipëri ka thënë se është duke qëndruar në vetizolim ku ka reduktuar në maksimum daljet nga shtëpia, përpos në rastet kur i duhet të shkojë në punë – gjithmonë duke respektuar krejt masat e rekomanduara.

Shahini ka treguar edhe se si ka arritur Shqipëria t’i bindë qytetarët që t’i zbatojnë këto masa të ashpra që janë duke u implementuar për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

“Jemi detyruar që të shqiptojmë një numër gjobash për thyerjen e rregullave të ndërmarra – p.sh personat që janë kthyer nga Italia dhe kanë vendosur që të mos vetkarantinohen për 14 ditë, por të dalin nga shtëpia, ata kanë marrë gjobë. Po ashtu, gjobë kanë marrë edhe personat që kanë shkelur rregullin dhe kanë bërë pikniqe. Ky është një numër shumë i vogël i njerëzve, sepse jemi befasuar me bashkëpunimin e qytetarëve që të zbatojnë rregullat”.

“Policia ka qenë në dispozicion nga dita e parë, derisa nga sot edhe Ushtria është në dispozicion të mbajtjes së rendit edhe për grumbullimet e vogla sikur radhët para dyqaneve dhe farmacive që t’ia përkujtojnë njerëzve që duhet të mbajnë distancën”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat