Rama: Na pret javë shumë e vështirë! Nuk po bëni heroizëm, por luftë në kolltuk

Shqipëria

Rama: Na pret javë shumë e vështirë! Nuk po bëni heroizëm, por luftë në kolltuk

Më: 23 mars 2020 Në ora: 15:39
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama e cilëson javën në të cilën kemi hyrë si më vendimtaren e përhapjes së koronavirusit në vendin tonë.

Lidhur me shqetësimet e momentit, ai thotë se nuk ka asnjë befasi, surprizë apo sekret, që situata do të shkojë duke u rënduar, pasi kjo dihet, bazuar nga vendet e tjera.

“E kemi prezantuar disa herë atë kurbën e famshme, që është diçka që na bashkon me të gjitha eksperiencat e realitetet e tjera, që tregon se ka ende njerëz që s’e kanë kuptuar”, thotë ai.

Kreu i qeverisë paralajmëron se virusi do të përhapet, do të prekë shumicën prej nesh, por pretendon se masat shtrënguese ngadalësojnë përhapjen e tij dhe i japin mundësi sistemit shëndetësorë të kurojnë ata që preken më rëndë.

“Ne e dimë që 80% as do ta ndjejnë fare, por 20% i 20% të mbetur do të luftojnë me vdekjen. Që këta të marrin shërbimin e duhur, duhet që ne të tjerët të rrimë sa më shumë mbyllur në shtëpi dhe të zbatojmë rregullat e thjeshta, sepse nuk kemi asnjë armë tjetër. Java që kemi hyrë është e parashikuar, nuk kemi hedhur fall, bazuar mbi modelin statistikor të përbotshëm. Është javë vendimtare për të mos lejuar që shifrat të shkojnë në stratosferë”, u shpreh Rama në një intervistë për ‘News 24’.

Më tej ka thënë se masat por respektohen në mënyrë fantastike nga shumica e popullsisë përjashtuar disa raste minimale që duhen eleminuar plotësisht.

“Java që kemi hyrë është e parashikuar. Nuk kemi hedhur fall. Është algoritëm dhe bazuar mbi statistikat e botës. Është javë shumë shumë e vështirë. Por aman është vendimtare së bashku me një apo dy javët e tjera për të mos lejuar që numrat të shkojnë në stratosferë dhe pastaj të jetojmë një katastrofë humanitare dhe kombëtare”, tha ai.

Pyetjes nëse ka dhënë rezultat karantina dy javore, sqaroi se ka një model statistikor që është ndërtuar bazuar në trajtektoren e vendeve pas 20 infektimeve të para.

Ai shprehu bindjen se ne jemi shumë më mirë se sa shumë vende të tjera, pasi u morën masat më shpejt dhe po respektohen ato.

Sipas tij, ka një lloj alarmi pak të ekzagjeruar pasi shkeljet që ndodhin dhe parregullsitë na acarojnë por janë minimale me atë që po bën shumica e popullsisë.

“Një rast në një treg, apo disa raste ecjesh në rrugë mirë është të eleminohen plotësisht. Por nuk janë një arsye për të thënë se po dështojmë në aplikimin e masave si popull. Po bëjmë diçka fantastike. Dhe duhet të eliminojmë çdo sjellje që të shmangim katastrofën që mos numërojmë mos o zot mijëra. Kjo mund të ndodhë nëse nuk jemi të vetëdijshëm, dhe të kemi humbje minimale. Edhe një humbje jete është humbje jete por duke ditur dhe duke qenë të vetëdijshëm që nuk i shamngim dot, duhet të jemi të fokusuar që me ndihmën me mbështetjen tonë, me besën tonë në këto luftë. Luftë në kolltuk dreqi e mori, luftë në kolltuk. Logjika e thjeshtë është ulu rri në kolltuk. Kjo nuk është një sakrificë e madhe. Kjo nuk është heroizëm që të rrish në shtëpi”, tha Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat