Basha, thirrje qeverisë: Shpall Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore, bëj gati paketën tjetër të ndihmës

Shqipëria

Basha, thirrje qeverisë: Shpall Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore, bëj gati paketën tjetër të ndihmës

Më: 23 mars 2020 Në ora: 15:55
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i ka bërë thirrje qeverisë të shpallë Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore në të gjithë Shqipërinë.

Basha i ka kërkuar qeverisë të urdhërojë mbylljen e bizneseve prodhuese me dendësi të madhe punonjësish,  fasoneritë dhe Call Centers, si vatra të mundshme të përhapjes së infeksionit.

Me përulësi, siç e veçoi, kreu i Opozitës i kërkoi edhe të mos e vonojë detajimin e Paketës ekonomike që ka shpallur e të bëjë gati një Paketë tjetër: “Të mos vonojë detajimin e paketës së ndihmës që ka shpallur dhe të bëjë gati një paketë tjetër, se është qartësisht e pamjaftueshme," theksoi Basha.

Në vijim, ai  i është drejtuar sërish qytetarëve duke nënvizuar rëndësinë e distancimit social dhe me besimin se e keqja do të kalojë.

FJALA E KRYETARIT TE PD, LULZIM BASHES:

Të dashur bashkëqytetarë

 Kjo javë nis me një rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus dhe për fat të keq, edhe me një rritje të numrit ët viktimave.

Dua t’jua afroj ngushëllimet e mia, familjeve të viktimave dhe të uroj nga zemra të gjithë ata që ndodhen në kushtet e infektimit dhe të shtrimit spitalor, shërim sa më të shpejtë.

Dua ta nis me një falënderim për gjithsecilin prej jush qytetarë të dashur që respektuat ditën e djeshme, rregullat e vetizolimit, distancimit social dhe të karantinës së detyruar.

Dua po kështu t’u bëj një thirrje nga zemra, të respektoni pikë për pikë, udhëzimet e detajuara sot nga Policia e Shtetit për të vazhduar në mënyrë të disiplinuar, distancimin social si një nga mjetet më të fuqishme për ndalimin dhe ngadalësimin e përhapjes së virozës dhe efekteve të saj shkatërruese mbi shëndetin e të dashurve, të afërmve tanë, në veçanti të prindërve tanë dhe të atyre që nuk gëzojnë shëndet të plotë.

Të dashur qytetarë

Sot është koha që të gjithë së bashku të bëjmë çfarë të mundemi dhe në duart tona kemi një armë të fuqishme përmes distancimit social, përmes rregullave të distancës edhe kur detyrohemi të dalim nga shtëpia, për të kryer nevojat e domosdoshme të ditës – ne mund dhe do ta ngadalësojmë shpërhapjen e virusit.

Nga ana tjetër dua t’i bëj thirrje sot Qeverisë të shpallë Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Dua po ashtu t’i bëj thirrje Qeverisë të urdhërojë menjëherë mbylljen e të gjithë bizneseve me dendësi të madhe punonjësish në ambiente të mbyllura, siç janë fasoneritë, call centers apo të tjera fabrika të tjera prodhimi, ku afërsia fizike e punonjësve përbën një rrezik të pashmangshëm për transmetimin e virusit dhe kthimin e tyre në mbartës dhe infektues të virozës. T

Të dashur bashkëqytetarë, sot është dita të qëndrojmë krah për krah njeri-tjetrit

në përballje me këtë të keqe të madhe.

E di që shumë prej jush keni hasur në vështirësi të jashtëzakonshme, materiale, fizike, shpirtërore dhe psikologjike gjatë kohës që ndodheni në karantinën e imponuar dhe vetimponuar nga kjo virozë. Por e keqja do të kalojë.

Në dorën tonë është që ta bëjmë të kalojë me një faturë sa më të vogël për jetët njerëzore dhe shëndetin e të afërmve tanë. E keqja do të kalojë dhe ne do të shikojmë pas dhe në dorën tonë është të themi: Bëmë atë që duhet, ashtu siç duhet dhe shpëtuam jetë apo të jetojmë me keqardhjen që do të na rëndojë gjithë jetës se nuk bëmë atë që duhet, ashtu siç duhet dhe në këtë mënyrë nuk shpëtuam aq shumë jetë sa ç’duhet?!

Por nga ana tjetër jam tërësisht i vetëdijshëm se kjo sakrificë e madhe që ju kërkohet ju ka nevojë për një mbështetje të madhe, ndaj dua të përsëris përulësisht thirrjen time ndaj qeverisë:

Të mos vonojë detajimin e paketës së ndihmës që ka shpallur dhe të bëjë gati një paketë tjetër, se është qartësisht e pamjaftueshme.

Të gjithë ata që do të duhet të qëndrojnë në shtëpi për shkak të mbylljes së biznesit apo për shkak të bizneseve ku janë punëmarrës, duhet të marrin pagën e mjaftueshme për të vazhduar minimumin jetik në shtëpitë  e tyre dhe kjo është një përgjegjësi shtetërore. Ndaj thirrja ime është të ndërpritet çdo shpenzim tjetër, të ndërpritet çdo transferim tjetër nga Thesari dhe të gjitha paratë e taksapaguesvse shqiptarë të shkojnë për shëndetin e shqiptarëve dhe nevojat akute ekonomike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat