Manastirliu: Çadra për triazhin mjekësor, gati ardhja edhe e 54 respiratorëve të rinj

Shqipëria

Manastirliu: Çadra për triazhin mjekësor, gati ardhja edhe e 54 respiratorëve të rinj

Më: 23 mars 2020 Në ora: 16:27
Foto ilustrim

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në një komunikim me publikun tha se mbetet thelbësore ruajtja e stafit mjekësor dhe infermerior. Manastirliu bëri të ditur se në kuadër të masave të marra, përpara Urgjencës së QSUT ka nisur tashmë ngritja e çadrave të triazhit mjekësor.

“Kemi vendosur ngritjen e çadrave të triazhit mjekësor, përpara Urgjencës së QSUT dhe përpara Urgjencës së Spitalit të Traumës. Aktualisht po përfundon trajnimi i ekipeve që do të vendosen në shërbimet e triazhit në çadra”, bëri me dije Manastirliu.

Gjatë komunikimit me publikun Manastirliu bëri të ditur se do të rritet numri i respiratorëve.

“Po lidhim kontratën për blerjen e 54 respiratorëve dhe vijojmë procedurën për 100 respiratorë të tjerë, që do të mbërrijnë sipas një kalendari të mirëpërcaktuar”, tha Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë bëri të ditur edhe shtimin e stokut të mjeteve të mbrojtjes personale.

“Me masat që kemi marrë kemi arritur të sigurojmë rritjen e stokut me 25 mijë maska ffp2/ffp3 dhe në vazhdim pritet furnizimi me 140 mijë maska ffp2/ffp3, ndërkohë që planifikojmë krijimin e një stoku me plus 200 mijë maskash specifike ffp2/ffp3. Sa i përket veshjeve speciale po rrisim në këtë javë me 10 mijë stokun e veshjeve dhe planifikojmë rritjen e stokut me 50 mijë veshje speciale”, bëri të ditur Manastirlu.

Ministrja e Shëndetësisë sqaroi gjithashtu se, sa i përket elementëve të tjerë doreza nitrili, syze mbrojtëse, helmeta mbrojtëse, dezinfektantë etj, po ashtu është siguruar stoku i nevojshëm për përballimin e kësaj situate dhe në vijim. Ndërkohë sa i përket maskave të thjeshta, kemi një sasi stoku mbi 500 mijë maska të thjeshta dhe kirurgjikale si dhe rreth 650 mijë doreza sterile dhe josterile.

Duke u shprehur se po bëhet më e mira me kapacitet që ka vendi për t’u përballur me një virus i cili është shumë I rrezikshëm, Manastirliu ka përsëritur apelin për qytetarët për të respektuar masat e distancimit social, të qëndrojnë në shtëpi, të ndihmojnë veten e tyre dhe të afërmit e tyre, sidomos ata që janë të moshuar, me semundje kronike dhe më të pamundur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat