Mjekët dhe infermierët shqiptarë në Itali, Elisa Spiropali i përgjigjet kritikave

Shqipëria

Mjekët dhe infermierët shqiptarë në Itali, Elisa Spiropali i përgjigjet kritikave

Më: 29 mars 2020 Në ora: 17:15
Elisa Spiropali

Ditën e djeshme mbërritën në Itali 30 mjekë dhe infermierë nga Shqipëria për t’i ardhur në ndihmë kolegëve në vendin fqinj, në përballje me pandeminë COVID-19. Por ky veprim ka pasur edhe shumë kritika, si i nxituar në një moment që vendi ynë po kalon gjithashtu kohë të vështira.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali i është përgjigjur këtyre kritikave në një postim në rrjetet sociale. Ajo shkruan  se “ne nuk harrojmë, do t’ju gjendemi miqve tanë sot në këtë ditë të zezë, dhe kurdoherë që fati do të na sfidojë”.

Për kritikët ka një përgjigje të thjeshtë: “Ka pasur gjithmonë Shqipëria pyka të tilla që historia i ka qeshur dhe koha i ka flakur”.

POSTIMI I ELISA SPIROPALI

Mbërritja e 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë në Itali për të luftuar kundër Covid-19, ka zënë sot faqet kryesore të mediave përtej Adriatikut dhe ka shkaktuar një reagim entuziast në të gjitha nivelet e shoqërisë italiane.

Conte dhe Di Maio kanë përcjellë fjalën e Kryeministrit Rama, dhjetra politikanë, kryetarë bashkish e autoritete të tjera, i jane bashkuar falenderimit, mjekë, gazetarë, mijëra italianë të zakonshëm që i ka zënë hall i madh në luftën me armikun e pabesë, kanë shprehur mirënjohjen e tyre me fjalë nga më të zgjedhurat.

Ky akt i autoriteve shqiptare dhe ky gjest human i mjekëve tanë, na përbashkon, shqiptarë dhe italianë, në një ndjenjë mallëngjyese solidariteti mes dy vendeve dhe dy popujve që ndajnë shumë histori nga më të dhimbshmet. Italianët na janë gjendur si askush tjetër në kohët më të vështira, kur shqiptarët kërkonin strehë larg pushtimit, poshtërimit apo varfërisë, por edhe sot kur duam t’i bashkohemi institucionalisht Evropës së bashkuar.

Ne nuk harrojmë, do ju gjendemi miqve tanë sot në këtë ditë të zezë, dhe kurdoherë që fati do të na sfidojë.

Në kontrast me këtë shpërthim reagimesh humane andej, capak faqezinj këtej, po sulmojnë ideatorin, kryeministrin, qeverinë, dhe këtë vendim që i ka dhënë krenari shqiptarëve kudo ku ndodhen. S’ka problem. Ka patur gjithmonë Shqipëria pyka të tilla që historia i ka qeshur dhe koha i ka flakur.

Krenare për Shqipërinë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat