Mjeku shqiptar jep një lajm të mirë: Ja kur nis ulja e numrit të të infektuarve me koronavirus

Shqipëria

Mjeku shqiptar jep një lajm të mirë: Ja kur nis ulja e numrit të të infektuarve me koronavirus

Më: 30 mars 2020 Në ora: 14:21
Pëllumb Pipero

Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero ka dhënë një lajm të mirë gjatë një bisede telefonike me TV Fax News. Ai tha se nëse gjatë kësaj jave do ketë rënie të numrit të personave me koronavirus apo qëndrim në këtë nivel, pas kësaj beson se do të ketë ulje të numrit të të infektuarve në vend.

Ai tha se situata momentalisht është e qëndrueshme, ndërsa pohoi se 6 pacientë ndodhen në intubim, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Pipero tha se nëse numrat e personave të infektuar do vijnë në rënie gjatë kësaj jave, kjo tregon se masat e marra kanë qenë efektive dhe të duhurat, në të kundërt sipas tij ‘faji’ do të rëndojë mbi qytetarët që nuk i kanë ndjekur rregullat.

“Më duket situatë e qëndrueshme. Situata e pacientëve është e ndryshme. Numrat e personave që shërohen janë në shtim dita-ditës, kemi persona në gjendje të rëndë apo relativisht të rëndë, kemi 5-6 pacientë të inturbuar, kemi nga ata që kanë sëmundje bashkëshoqëruese, që jemi të rezervuar të japim informacione. Edhe ne nuk bëjmë përjashtim nga bota, edhe tek ne një 80-vjeçare është shëruar.

Shumica e kalojnë në forma të lehta, duhet bashkëpunim me mjekun, kurajo. Nuk besoj se e kemi arritur pikun, kjo javë do të na tregojë, jam i bindur se kjo javë do të tregojë shumë”.

“Ata që janë pozitiv dhe qëndrojnë në shtëpi, nuk duhet të përdorin asnjë medikament pa konsultën e mjekut. Në dijeninë time rastet që qëndrojnë në shtëpi nuk janë të sëmurë, por të infektuar. Në asnjë mënyrë pa këshillën e mjekut medikamente. Është e vështrë të jap një mendim të saktë për atë që vjen. Mendoj se pas kësaj jave ose do mbeten në këto shifra ose do vijojnë të bien. Do na tregojë shumë nëse kjo javë do vijë duke u ulur, do tregojë se masat kanë dhënë efekt, dhe nëse do të vijojnë shtimin, do të tregojë se nuk janë ndjekur rregullat dhe udhëzimet”, tha Pipero.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat